Kurti fajëson ata që udhëhoqen para tij: Bënë kompromise me kriminelët serbë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje me situatën e krijuar në veri, e cila vazhdon të jetë e tensionuar pavarësisht shtyrjes së zgjedhjeve për në prill të vitit 2023.
Kurti para gazetarëve, duket se ka pasur një mesazh edhe për për partitë që udhëhoqën më herët në Kosovë, tashmë opozitë.
Për këta të fundit, kryeministri tha se kanë bërë kompromis me “kriminelë si Radojqiq e Veselinoviq”.
“Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë, as pas dialogut, ajo që shpërfaqej si integrim, ishte njëfarë kompromisi me bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi, që quheshin struktura ilegale. Me kriminelë si Radojqiqi e Veselinoviqi, bëhej marrëveshje edhe për të formuar Qeverinë e Kosovës, edhe për të blerë qetësi në veri të vendit, pasi kishin nëshkruar se FSK-ja nuk do të dërgohej atje, tolerohej kontrabanda, zgjedhjet e Serbisë, dinari serb, target ilegale, mospagesa e taksave as locale e as qëndrore, mospagesa e furnizimit me ujë, me energji elektrike, e të tjera.” – tha ai.
Veç tjerash, Kurti në konferencën që u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, deklaroi se Serbia po e kërcënon Kosovën me luftë.
“Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe rikthim të trupave të saj ushtarake, të cilët patën kryer gjenocid në Kosovë. Beogradi po flet dhe sillet si para 23 viteve, dhe udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh, ish-ministri dh eish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra kërkon të vazhdojë luftën që e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë, më 9 qërshor 1999.” – tha ai.
