Kurti ende asnjë fjalë për aktgjykimin e Kushtetueses, nuk dihet se kur do t`i takojë Hamzën dhe Abdixhikun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk e ka thënë asnjë fjalë për aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ndonëse partia e tij e ka mirëpritur aktgjykimin, Kurti deri me tani ka zgjedhur heshtjen.
Deri me tani as Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar aktgjykimin, i cili Kuvendit të Kosovës ia jep edhe 34 ditë shtesë për të zgjedhur presidentin e Republikës së Kosovës.
Ndonëse Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbëria Nagavci, ka bërë me dije se VV-ja do të angazhohet maksimalisht për këtë çështje, ende nuk dihet se kur Kurti do t`i takojë liderët e partive opozitare.
Para një jave, derisa Gjykata Kushtetuese e shqyrtonte lenden, kryeministri Albin Kurti kishte ftuar për takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikut.
Këta të fundit kishin refuzuar ftesën, duke thënë se mund të takohen vetëm pas publikimit të aktgjykimit.
Duke e falënderuar për ftesën, Partia Demokratike e Kosovës kishte vlerësuar se duhet të respektohet procesi institucional.
“Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë. Partia Demokratike e Kosovës beson se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, ishte thënë në komunikatën e PDK-së.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte shprehur gatishmëri të takohet me Kurtin vetëm pas publikimit të aktgjykimit.
“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj. Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund. Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, kishte shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbëria Nagavci, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodh takimi i Kurtit me liderët e opozitës.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se në ditët në vijim duhet të angazhohen të gjithë për zgjedhjen e presidentit.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se dekreti i shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën. Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale. Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh. Gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta”, ka shkruar ajo.
Në anën tjetër, Presidenca ka ftuar partinë në pushtet që sa më shpejt të caktojë seancën për zgjedhjen e presidentit.
“Në vend të deklarimeve të tilla të paqëndrueshme, ftojmë Kuvendin e Kosovës që qysh nesër ta caktojë datën e seancës së re për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ta kryejnë detyrimin për të cilin janë zgjedhur, duke i dhënë vendit stabilitet dhe siguri”, është thënë në njoftimin e Presidencës.