Kurti e quante Presidentin “hap të katërt”, sot e përdor për paralizë totale institucionale
Tri procese zgjedhore brenda vetëm 16 muajve e kanë rikthyer Kosovën në të njëjtin rreth vicioz të ngërçit politik. Këtë herë, kriza nuk buron nga mungesa e numrave, por po prodhohet artificialisht nga vendimi i vetë fituesit për të mos e kthyer shumicën në institucione të reja.
Ndonëse rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit ia sigurojnë komoditetin e nevojshëm aritmetik, Vetëvendosje po refuzon ta konstituojë institucionin më të rëndësishëm përfaqësues të vendit, Kuvendin, pavarësisht shumicës parlamentare që zotëron.
Si alibi të radhës, Kurti nxori argument që bie në kontrast të drejtpërdrejtë me qëndrimet e tij të vetëm pak muajve më parë: Parlamenti dhe Qeveria nuk duhet të formohen pa u vulosur paraprakisht fati i karriges së Presidentit.
Albulena Haxhiu u dërgoi ftesa partive opozitare në cilësinë imagjinare të “ushtrueses së detyrës së presidentit”. Sipas saj, nyja kryesore e krizës është Presidenca, pasi pa një marrëveshje për këtë post Kosova rrezikon të rikthehet sërish në zgjedhje.
“Çështja e Presidentit, në rastin tonë, është hapi i parë nga duhet të nisemi”, tha Haxhiu.
Ftesa që Albulena Haxhiu u dërgoi partive opozitare për një takim konsultativ mbi “tejkalimin e krizës” u refuzua politikisht, bashkë me vetë titullin me të cilin ajo e kishte nënshkruar. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja refuzuan të uleshin me të në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes.
LDK-ja tha se Haxhiu tashmë është vetëm deputete dhe shprehu gatishmëri të takohej drejtpërdrejt me Albin Kurtin; PDK-ja e cilësoi ftesën manipulim institucional, ndërsa AAK-ja deklaroi se ajo nuk ka mandat për të marrë rolin e unifikueses.
Në seancën konstituive të 6 gushtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi kohë shtesë për negociata rreth postit të presidentit, çka çoi në ndërprerjen e seancës nga kryesuesi Avni Dehari.
Sipas arsyetimit të tij, konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë pa një pakt paraprak për Presidencën do të rezultonin pothuajse “të kota”, meqë një dështim i mundshëm në zgjedhjen e kreut të shtetit do ta çonte sërish legjislaturën drejt shpërbërjes.
Pikërisht këtu bëhet e dukshme kontradikta politike e Kurtit, kur qëndrimet e tij të sotme vendosen përballë deklaratave që kishte dhënë gjatë zhvillimeve të fillimvitit.
Më 30 janar, pas zgjedhjeve të dhjetorit, Kurti e vendoste Presidencën në fund të hierarkisë së prioriteteve institucionale.
Sipas rendit që ai përcaktonte, fillimisht duhej konstituuar Kuvendi, më pas të formohej Qeveria, të procedohej me marrëveshjet ndërkombëtare dhe vetëm atëherë të trajtohej çështja e Presidentit.
“Sa i përket takimit me presidenten, jemi në komunikim dhe jemi akorduar, por ta keni parasysh se ai do të jetë hapi i katërt”, deklaronte ai asokohe.
Vetëm pak javë më vonë, në mars, kur opozita refuzoi të futej në sallë gjatë procesit për zgjedhjen e Presidentit, Kurti përdorte një logjikë krejtësisht tjetër.
Kreu i qeverisë në detyrë këmbëngulte se deputetët nuk duhej ta paragjykonin epilogun duke bojkotuar procedurën, por e kishin për detyrë të paraqiteshin në Kuvend dhe ta ezauronin procesin institucional.
“Është obligim kushtetues i deputetëve [...] të vijnë në vendin e tyre të punës [...] të marrin pjesë e të votojnë”, deklaronte Kurti më 6 mars.
Për më tepër, ai hidhte poshtë idenë se procesi mund të konsiderohej i dështuar pa u konsumuar të gjitha fazat kushtetuese: “Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, ndërsa për mundësinë e zgjedhjeve të reja shprehej se “duhet të ketë dështim në raundin e tretë që të shpërndahet kuvendi dhe të përgatitemi për zgjedhjet e reja”.