Kurti e Osmani “të blinduar” para gazetarëve, Scholzi e Starmeri i marrin në aeroplan
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti shpesh shihen në mjedis të hapur të rrethuar me shumë truproja.
Disa prej pjesëtarëve të mbrojtjes së afërt në disa raste kanë pasur qasje të ashpër ndaj gazetarëve që thjesht po e kryenin punën e tyre – po mundoheshin t’u shtronin pyetje krerëve të vendit.
Në të paktën dy raste, mbrojtja e afërt është incizuar duke përdorur edhe forcë fizike kundër gazetarëve.
Para disa muajve, një pjesëtar i mbrojtjes së afër ia kapi me forcë dorën një gazetareje që po mundohej t’i shtronte pyetje kryeministrit Albin Kurti, ndërsa sot, më 16 tetor, në një rast tjetër, një pjesëtar i mbrojtjes së afërt të presidentes Osmani gjithashtu shihet duke ia larguar dorën një gazetari që po i bënte një pyetje të parës së vendit.
Ndryshe nga kryeministrit, që nuk kishte reaguar ndaj sjelljes së truprojës, presidentja të mërkurën ndërhyri, duke e urdhëruar truprojën që të mos e largonte gazetarin. “Mos e… mos e…” – dëgjohet duke thënë Osmani.
Në krahasim me udhëheqësit e vendit tonë, krerë të shteteve të tjera shumë më të mëdha e më të fuqishme janë parë në raste të ndryshme shumë të afërt me gazetarët.
Para disa javëve, kryeministri britanik shihej i rrethuar me gazetarë “mbi kokë” gjatë udhëtimit të tij me aeroplan për në Uashington të ShBA-së.
Gazetarë në aeroplan gjatë fluturimit ka pasur edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Pyetje nga gazetarët në aeroplan ka marrë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.