Kurti e Osmani sot "fluturojnë" për në SHBA, marrin pjesë në varrimin e Albright
Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, së bashku, do të qëndrojnë këtë javë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arsyeja e vizitës përtej Atlantikut është tashmë e njohur.
Dy krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, do të marrin pjesë në varrimin e ish-sekretares amerikane, Medeline Albright, e cila ndërroi jetë javë më parë.
E para e shtetit dhe shefi i ekzekutivit do të ‘fluturojnë’ sot për në ‘tokën e premtuar’.
Në kuadër të vizitës në Amerikë, krahas pjesëmarrjes në ceremoninë e varrimit, Osmani dhe Kurti kanë paraparë edhe disa takime të tjera.
Javën e kaluar, vizitën e Osmanit e pati konfirmuar për Gazetën Nacionale Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Osmani, teksa tregoi se e para e shtetit do të marrë pjesë në varrimin e përkrahëses së Kosovës, që ndërroi në 24 marsin e këtij viti.
“Presidentja Osmani do të udhëtojë për në SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, thuhej në përgjigjen e Kupinës për Nacionalen.
Mediat kanë raportuar, bazuar në burimet e tyre, se kryeministri Kurti do të marrë pjesë po ashtu në varrimin e Albright. Megjithatë Nacionale nuk ka arritur ende të konfirmojë një gjë të tillë.
Kujtojmë që fluturimin e Osmanit për në SHBA e pati paralajmëruar shefi i Kabinetit të presidentes, Blerim Vela.
Ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tregoi javën e kaluar Nacionales se Kurti do të udhëtojë në SHBA.
“Po”, ishte përgjigja e shkurtër e zëdhënësit në pyetjen e Nacionales rreth pjesëmarrjes së Kurtit në varrimin e Albright.
Megjithatë, kjo nuk është vizita në SHBA, të cilën i pari i ekzekutivit e ka paralajmëruar kohë më parë.
Në intervistat e fundit, Kurti e ka ritheksuar majin si muajin kur do të udhëtojë për në SHBA.
“Do të shkoj besoj në muajin maj, do të zhvilloj takime me administratën Biden dhe diasporën tonë, unë i njoftoj ata paraprakisht, ata më mirëpresin, organizohen takimet, verifikohet agjenda, por, që ju do ta dini paraprakisht”, deklaroi javë më parë Kurti.
Vizitën e tij në Amerikë, Kurti e ka paralajmëruar qysh vitin e kaluar, por ende nuk është caktuar data e saktë.
Fillimisht, ai kishte thënë se vizita do të ndodhë në nëntor të vitit të kaluar.
Më pas, ai pati paralajmëruar janarin e këtij viti si kohë për vizitën e tij, por as kjo nuk ka ndodhur.
“Mirëpo, në SHBA do të udhëtojë në nëntor. Bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që unë besoj që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë”, kishte thënë Kurti vitin e kaluar.
Albin Kurti është kryeministri i vetëm i Kosovës, i cili në vitin e parë të qeverisjes së tij nuk e ka vizituar Amerikën.
Partitë opozitare jo rrallë e kanë akuzuar kryeministrin Kurti si anti-amerikan. Këto kritika janë shtuar pasi Qeveria e Kosovës refuzoi projektin për ndërtimin e gazsjellësit amerikan.
Ndryshe, sot në Kosovë ka qëndruar një delegacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga Karen Donfried, asistente e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për çështje europiane dhe euroaziatike.
Pjesë e delegacionit ishte edhe Gabriel Escobar, emisar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Amerikanët ishin të qartë, posaçërisht rreth çështjes së dialogut dhe arritjes së një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit, për ta destabilizuar rajonin, janë të thjeshta. Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja. Qëllimi ynë është edhe qëllimi juaj, një marrëveshje që përmirëson marrëdhëniet tuaja, e përqendruar në njohje të ndërsjellë”, tha Donfried pas takimit me Kurtin e Osmanit.
Ndërsa Kurti tha se Kosova do të mbetet aleate e besueshme e SHBA-së.