Kurti del me zotime gojarisht: Prokurori të re të specializuar dhe dronë “Made in Kosova” brenda mandatit
“Prokurori të re të specializuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin sipas modeleve të vendeve që e kanë kryer me sukses këtë betejë”, premtoi kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një videoadresim zgjedhor.
Këtë ai e arsyetoi si “të rëndësishme” që institucioni hetues, sipas tij, “të jetë në nivelin e deytrës” në raport me rrjetet kriminale “që janë në vijimësi kundër shtetit dhe të drejtës në tërësi”.
“Do të themelojmë Prokurori të re të specializuar për çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit me përkrahje dhe model të vendeve që e kanë kryer me sukses këtë betejë në Evropë”, tha Albin Kurti,
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme në drejtësi se sa institucioni i hetimit të jetë në nivelin e detyrës në raport me rrjetet kriminale që janë në vijimësi të organizuara kundër shtetit dhe të drejtës në tërësi”.
Në kontekstin e kësaj prokurorie “të re” të specializuar, Kurti u zotua për themelimin edhe të një “zyreje disciplinore” për llogaridhënie të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial – për të trajtuar ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorë.ve
“Zyra për hetime disciplinore do të jetë një strukturë e re që garanton balancë dhe kontroll nëpërmjet pushteteve duke rritur llogaridhënien e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokuroria për veprimet etyre”, tha ai.
“Zyra do të trajtojë ankesat dhe sjelljet e papërshtatshme nga gjyqtarët dhe prokurorët. Procesi disiplinor do të mund të inicohet edhe ex-officio. Zyra do të kryejë mbledhjen e provave dhe paraqitjen e çështjeve para komisioneve disiplinore të KGJK-së dhe KPP-së”, shtoi Kurti.
Në kuadër të zotimeve ai tha se “cep më cep do të ketë rend dhe ligj”.
Duke folur për mbrojtje dhe ushtri, Albin Kurti u zotua që buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të jetë mbi 1 miliardë në katër vite dhe se do të funksionalizohet fabrika për prodhimin e municioneve.
Po ashtu, u zotua ai, “gjatë këtij mandati do të zhvillojmë dronë të ri ‘Made in Kosova’”.
“Vendi do të ketë kufi të sigurt dhe të menaxhuar me teknologjitë më të avancuara – qendra kombëtare për menaxhim të kufirit do të modernizohet për të garantuar sigurinë...dhe parandaluar aktivitetin kriminale”, tha ai.
Në lidhje me çështje të politikës së jashtme, Kurti tha se “do të jetë angazhim kyç” që vendi të mund të marrë statusin e vendit kandidat për bisedime për anëtarësim në Bashkimin Evropian.