Kurti: Ata që e duan formimin e Asociacionit, duhet t`i pyesim pse Plani i Ahtisarit s`mjafton
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk është prioritet për të.
Para deputetëve, ai ka thënë se ata që duan formimin e Asociacioni duhet t`i pyesim se pse Plani i Ahtisarit nuk po mjafton.
“Unë besoj qasja më e mirë e jona, edhe vlerore dhe strategjike është që kur të bëhet fjalë për të drejtat e pakicave kombëtare, ne të gjithë ata që interesohen duhet t`i pyesim: Pse nuk mjafton Plani i Ahtisarit? Pra, ata duhet të tregojnë pse nuk mjafton plani i Ahtisarit. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem kritik ndaj këtij plani. Ka shumë privilegje dhe teprime. Mirëpo, ata që duan edhe më shumë, ata e kanë barrën e provës dhe argumentimin të na tregojnë. Pse fituesi i çmimit Nobel për paqe paska bërë gabim”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se kjo marrëveshje nuk është e veçantë prej marrëveshjeve tjera që janë arritur në Bruksel.
“Unë nuk dua t’i neglizhoj por nuk mund të lejojë proritozimin e njërës në raport me tjerat. Në anën tjetër ka një iniciativë të re të një propozimi të BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe ShBA ku po ashtu parashihet trajtimi i marrëveshjeve të mëhershme dhe është padrejtë ndaj këtij konstrukti të formuar do të ishte gabim ta nxjerrim Asociacionin nga 33 marrëveshjet si të veçantë dhe nga korniza ime me katër pika”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, qëllimi i Serbisë nuk është formimi i asociacionit.
Ai ka thënë nëse Serbia do ta dëshironte formimin e asociacionit do ta njihet pavarësinë e Kosovës.
“Neve nuk na duhet, ata nuk e dojnë, s`kemi pse i japim kaq shumë prioritet kësaj pune”, ka thënë Kurti.