Kurti i kërkon Sorensenit “zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar” të Marrëveshjes së Ohrit - NACIONALE

Kurti i kërkon Sorensenit “zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar” të Marrëveshjes së Ohrit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike, ka kërkuar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e parë të emisarit të ri të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

Krahaj “zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar”, sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës – të vendosura tash e gati dy vjet që nga kur u instaluan kryetarët shqiptarë në katër komunat të banuara me shumicë serbe.

Kurti po ashtu ka kërkuar dorëzimin e udhëheqësit të sulmit terrorist në Bansjkë – Millan Radojçiq – duke artikuluar rreziqet që ai përbën ende për vendin.

Komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

Në këtë takimi të parë zyrtar në Zyrën e Kryeministrit, ai e uroi për rolin e ri z. Sørensen dhe e njoftoi me zhvillimet e fundit në vend dhe për hapat drejt formimit të institucioneve në legjislaturën e 9-të.

Kryeministri kërkoi nga emisari Sørensen që BE-ja të heqë menjëherë masat e padrejta kufizuese ndaj Kosovës. Ai theksoi kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së.

Diskutuan për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe për rrugën përpara. Kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai gjithashtu nënvizoi rrezikun që kryeterroristi Millan Radoiçiq, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqes për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi, përkundër pranimit të fajësisë para autoriteteve në Serbi dhe aktakuzës 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

Andaj, përsëriti thirrjen, që Radoiçiq dhe grupi i tij t'i dorëzohet Kosovës për gjykim.

Lajme të ngjashme