Kur mungon programi: VV-ja ushqen mitin e progresit dhe ashpërson sulmet ndaj opozitës - NACIONALE

Kur mungon programi: VV-ja ushqen mitin e progresit dhe ashpërson sulmet ndaj opozitës

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Dita e nëntë e fushatës zgjedhore e gjen Lëvizjen Vetëvendosje, partinë që udhëheq aktualisht me qeverinë, ende pa shpalosur një program të qartë qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Në mungesë të një plani konkret për katër vitet e ardhshme, zyrtarët e kësaj partie po e përqendrojnë energjinë në ushqimin e mitit për "progres ekonomik" dhe intensifikimin e sulmeve ndaj opozitës.

Hekuran Murati, me ‘kujtesë të shkurtër’

Një nga dështimet më mëdha të qeverisë Kurti gjatë mandatit të saj katërvjeçar ishte niveli i ulët i investimeve kapitale.

Megjithatë, kandidati për deputet, – ministër i Financave në katër vitet e fundit – Hekuran Murati, në fjalimin e tij gjatë tubimit në Ferizaj, tentoi ta përmbysë dështimin më të faktuar ndonjëherë nga opozita, duke u mburrur me një “rekord” të investimeve kapitale në fund të vitit 2024.

“Ka qenë Qeveria Kurti ajo që e ka thy rekordin e investimeve kapitale me 654 milionë euro në vitin 2024”, tha Murati.

Ajo që ministri me kujdes e anashkaloi është fakti se tre vitet paraprake të qeverisjes së Vetëvendosjes ishin një shembull klasik i ngecjes në këtë drejtim, ku nivelet e ulëta të realizimit shënuan rekord negativ.

Absurditeti i pretendimeve të Muratit s'mbaroi këtu. Ai pretendoi "rritje të fuqisë blerëse" të qytetarëve, duke e lidhur këtë me "80 mijë vende pune" të krijuara gjatë qeverisjes së VV-së.

“Normalisht, që kemi mbështet edhe qytetarët, sepse duhet me kriju edhe fuqi blerëse për më i mbështet bizneset. Pra qytetarët kanë fuqi blerëse, kanë para më shumë në dorë, blejnë krijojnë kërkesë, krijojnë vende pune, rritet qarkullimi i bizneseve, punësojnë ma tepër e kështu shtohen 80 mijë vende pune për katër vjet, që s’ka ndodh kurrë më përpara.” – deklaroi ministri Murati.

Koha që Murati pretendon si periudhë të rritjes së fuqisë blerëse përkon pikërisht me periudhën e inflacionit të lartë që ka goditur Kosovën gjatë 3-4 viteve të fundit. Ky inflacion ka shkaktuar rritje të madhe të çmimeve të produkteve esenciale, duke gërryer fuqinë blerëse të qytetarëve, një fenomen i dokumentuar në raportet vjetore ndërkombëtare.

Albulena Haxhiu...

Kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, e cila gjatë mandatit të saj katëvjeçar si ministre e Drejtësisë ka dështuar të përfundojë reforma të shumëtrumbetuara ligjore para 2021-ës, përdori tubimin në Ferizaj për të përsëritur sloganin "hajnat në burg".

“Reforma në drejtësi është bërë kërcënim për ta, saherë në flasim për Byronë e Vetting ata e pengojnë atë. Por ne do t’i mundim. Hajnat në burg. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese unë e kam një lajm të mirë, mandate i disa gjyqtarëve në Gjykatë Kushtetuese do të përfundoj gjatë qeverisë Kurti 3.” – tha ajo.

Përgjatë gjithë fjalimit, Haxhiu nuk ofroi asnjë provë konkrete për përparimet në drejtësi, duke zgjedhur të përqendrohet te përballja retorike me opozitën.

Albin Kurti: Retorikë e ngarkuar me sulme

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në fjalimin e tij përkrahësve të VV-së në Ferizaj, intensifikoi sulmet ndaj opozitës, duke e përshkruar LDK-në dhe PDK-në si "të ngjashme".

Tha se s’janë ‘ndryshimi, por janë ndryshku’. “Këta të LDK-së, janë bë si PDK-ja, pare edhe reklamë, e kundërta e Rugovës. E këta të PDK-së janë bë si LDK-ja, pacifista edhe të hutuem e kundërta e UÇK-së.” – shtoi ai.

Kurti e vazhdoi fjalimin e tij me përshkrime poetike pë Ferizajin, në mungesë të një programi qeverisës që trajton çështjet që kërkojnë zgjidhje për këtë komunë.

“Moti i ftohtë por unë po ndihem më shumë se ngrohtë këtu në Ferizaj, midis zemrave të nxehta të këtij qyteti madhështor të Republikës së dashur.

Një shok që e kam këtu në Ferizaj, më ka thënë se në Ferizaj çdo gur e ka nga një histori qendrese. E tash, nëse cdo gur e ka nga një histori, po them se në Ferizaj çdo zemër e ka nga një zjarr.

Kur vijmë në Ferizaj, të gjithë marrim zemër edhe më shumë”, tha ai.

Lajme të ngjashme