Kundër Aktgjykimit të Kushtetueses: Kurti e do fillimisht formimin e Qeverisë, pastaj zgjedhjen e presidentit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë me dije se pas certifikimit të rezultateve do të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja.
Megjithatë, ai ka treguar se nuk do të ndjekjet rendi kushtetues për formimin e institucioneve të reja.
Në hapje të mbledhjes së qeverisë, ai ka treguar se fillimisht do të formohet qeveria e me pas do të zgjidhte presidentin.
“Posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re, dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, ka thënë Kurti.
Ai pretendon këtë, ani pse rruga drejt formimit të institucioneve të reja është përcaktuar Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e fundit për çështjen e Presidentit.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar fare thjeshtë renditjen e detyrimeve kushtetuese kur vendi hyn në një legjislaturë të re pa president të zgjedhur.
Në paragrafin 162, Gjykata ka konstatuar se, “procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve”.
Ai ka bërë me dije se rezultate e zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të respektohen nga të gjitha partitë.
“Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e të respektohet, dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore nga hekurudhat te digat, e jo vetëm”, është shprehur Kurti.
Në këtë mbledhje Kurti ka folur edhe për arrestimin e pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe të dyshuar për përfshirje në masakrën e Reçakut.
Ai ka kritikuar mungesën e veprimeve për këtë rast për më shumë se dy dekada.
“Afër 27 vjet e gjysmë pas masakrës së Reçakut, janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë. Ndërkohë që në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve, pas siç u tha, një hetimi prej gjashtë muajsh, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020, askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk ishte për masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër, kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, është shprehur ai.
Me pas, ka filluar shqyrtimi i pikave të rendit të ditës.
Në këtë mbledhje Qeveria në detyrë ka miratuar edhe këtë vit mbulimin e policës kufitare për mërgatën që vijnë në Kosovë gjatë stinës së verës.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ky propozim-vendim parasheh ndarjen e tre milionë eurove për zbatimin e kësaj mase.
“Sikurse në vitet paraprake, edhe këtë vit duke filluar nga muaji korrik e tutje ne si qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo kartonin e gjelbër për mërgatën tonë që vijnë me vetura në vizitë përgjatë kësaj periudhe. Propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 3 milionë euro për zbatimin e masës 4.5 mbështetja e mërgatës nga pakoja e ringjalljes ekonomike. Mjetet merren nga pakoja dhe ndahen në Ministrinë e Financave”, ka thënë ai.