Kundër, kundër, kundër: Reagimet për projekt-ligjin e Qeverisë për beneficione
Qeveria e Kosovës është duke e shqyrtuar një projekt-ligj me anë të së cilit bëhet ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve që përcaktojnë shumën e benificioneve të lartësisë së pagës minimale për kategorinë Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK], për Personat e Verbër dhe për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik.
Qeveria synon të ndryshojë ligjet që përcaktojnë beneficionet e tyre, dhe tani sipas këtij ligji, nëse fuqizohet, beneficionet e tyre do të bëhen me propozim të Ministrisë së Financave dhe jo me ligjet aktuale që rregullojnë këto skema pensionale.
Nacionale më poshtë ju sjell reagimet e kategorive të prekura nga ky projekt-ligj
Çfarë thonë nga OVL-UÇK për projekt-ligjin?
Këtë projekt-ligj nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [OVL-UÇK] nuk kanë dashur ta komentojnë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, për Nacionalen ka thënë se nuk mund të flasin për këtë temë sepse po presin që t’i ftojë në takim kryeministri, Albin Kurti.
“Nuk mund të prononcohem rreth projektligjit sepse po pres takim këtë javë me kryeministrin”, ka thënë shkurtimisht Klinaku.
Në Kosovë me letra janë afër 60 mijë veteranë të luftës. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti në një intervistë të martën, ka thënë se do të ndodhë verifikimi i listës së veteranëve, sepse sipas tij, nuk kanë qenë më shumë se 20 mijë veteranë.
“Është një dallim i madh. Kemi deformuar historinë tonë me ato mbi 60 mijë emra. Një ndër personat që më së shumti e di përbërjen e UÇK-së është Rexhep Selimi. Ai e di çka ka qenë UÇK-ja. Nuk ka teori për mbi 20 mijë veteranë”, ka thënë Kurti.
“Nuk e di a do ta quajmë riverifikim, por kemi nevojë për dëshmi. Lufta ka nevojë për të vërteten edhe në kuptimin sasior. Po përfundojmë duke i ditur saktë vetëm të vdekurit. Duhet t’i dijmë edhe të gjallët”, shtoi ai, duke thënë se do të ishte hap i mirë verifikimi i listës së veteranëve.
Takimi mes Kurtit dhe përfaqësuesve të veteranëve do të ndodhë të premten, më 25 mars.
Çka thonë nga HANDIKOS?
Në anë tjetër shoqata HANDIKOS, ka reaguar menjëherë për këtë projektligj të cilët janë shprehur të shqetësuar për propozimin e Qeverisë së Kosovës.
HANDIKOS, ka kërkuar sqarime nga qeveria rreth këtij projektligji.
“Lidhur me këtë, HANDIKOS ka adresuar komente drejt institucioneve përkatëse, duke shprehur shqetësimet por edhe duke kërkuar sqarime se mbi çfarë baze dhe sa do të mund të jetë shuma për një individ pas vendimit të ri që mund të pasojë nga ana e Qeverisë”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej, HANDIKOS ka thënë se shuma e kompensimit të jetë më e lartë dhe në asnjë mënyrë më e ulët.
“Po ashtu, HANDIKOS ka propozuar që duke marrë për bazë edhe situatën e inflacionit me të cilin po përballen gjithë qytetarët, shuma e kompensimit të jetë më e lartë, e në asnjë mënyrë më e ulët”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre të bërë në faqen në Facebook.
Edhe pse Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e kishte shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, nëse ky projekt-ligj kalon, atëherë do t’i vështirësojë jetesën e tyre edhe më shumë.
Në Kosovë jetojnë mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme.
Çka thonë nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës?
Shoqata e të Verbërve të Kosovës të cilët preken nga ky projekt-ligj, në një bisedë me Nacionalen kanë bërë të ditur se nuk janë konsultuar nga ana e Ministrisë së Financave.
“Ne nuk jemi konsultuar fare për atë projekt-ligj të propozuar nga ministria e Financave. Ne i kemi bërë disa komente”, ka thënë Daut Tishuki nga Shoqata e të Verbërve.
Në Kosovës sipas të dhënave janë rreth 5 mijë persona të verbër, ndërkohë mbi 1 mijë personave u është pranuar statusi i cili është i rregulluar me ligj.
Çka thotë projekt-ligji?
Projekt-ligjin i cili është në diskutim të brendshëm e të cilin e ka sigurar gazeta Nacionale, mban titullin “PROJEKTLIGJI NR. XX/2022 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMININ E LIGJEVE QË PËRCAKTOJNË SHUMËN E BENEFICIONIT NË LARTËSI TË PAGËS MINIMALE”.
Qeveria ka propozuar që të ndryshojë, Neni 16A, paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141, ndryshohet me tekstin si në vijim:
“Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së”, thuhet në projekt-ligjin e siguruar nga gazeta Nacionale.
Një gjë e tillë, dyshohet se po bëhet për të shmangur rritjen e pensioneve të veteranëve meqenëse ligji aktual parasheh barazvlerë të pensionit të veteranit me pagën minimale.