Kundër bashkimit me Shqipërinë: Të rinjtë po ikin, por çka mendojnë për temat politike? - NACIONALE

Kundër bashkimit me Shqipërinë: Të rinjtë po ikin, por çka mendojnë për temat politike?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyret në Pejton i kemi me pamje nga Pallati i Rinisë. Kur fillova të mendoj për ta shkruar këtë artikull, isha duke shikuar në atë drejtim.

Ka kaluar një kohë e gjatë nga periudha kur pata filluar të shikoj zhvillimet politike te vendit, njëlloj siç ka kaluar kohë e gjatë nga diskutimet e para më shokë dhe shoqe moshatarë, mbi të ardhmën politike të Kosovës.

Pallati i Rinisë, me emrin e tij, më kujtoi që ndonëse vazhdimisht kam diskutuar tema të ndryshme politike bashkë me të rinjë, kurrë nuk i kam mbledhur dhe selektuar mendimet e tyre për Kosovën, politikën e të ardhmen e saj.

Unë i takoj një grupmoshe (16-24) që po kërkon (70%) të ikë nga vendlindja si prej dreqit.

Andaj, duke e ditur rëndësinë që rinia ka në një shtet, vendosa qe të mbledh ide politike të disa prej të rinjëve të Kosovës. Mora deklarata të shkurta nga shokë dhe shoqe.

Pyetjet ishin të thjeshta dhe më shumë kishin të bënin me të ardhmën;

A duhet të bashkohet Kosova me Shqipërinë, apo të anëtarësohet në OKB?

A mendoni se Kosova duhet t’i bashkohet BE-së?

Cili është vizioni juaj politik për një Kosovë më të mirë?

Shoqja ime, Erza Hyseni, vlerëson se Kosova duhet të ketë orientim euroatlantik dhe të synojë pavarësi të plotë e të largohet nga ideja e bashkimit me Shqipërinë dhe fuqishëm të lobojë për inkuadrim në organizatat ndërkombëtare.

Në përgjigjen e pyetjes së parë, Erza tha: “Kushtetuta nuk na lejon të bashkohemi me Shqipërinë, por unë mendoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojnë si dy shtete të ndara dhe bashkëpunimi strategjik në mes të dy shteteve duhet të jetë ne funksion të rritjes së cilësisë së jetës, dhe përshpejtimit të procesit të integrimit euro-atlantik.”

Më tutje ajo shton: “Patjeter që Kosova duhet të anëtarësohet në OKB, dhe për këtë Kosova ka nevojë për një dialog të hapur me partnerët e saj, në mënyrë që t’i theksoj prioritetet e saj. Unë besoj në lirinë dhe pavaresinë e Kosovës.”

Njëlloj me Erzën edhe shoku im Denat Mavriqi beson se Kosova dhe Shqipëria duhet vetëm të bashkëpunojnë ngushtë dhe jo të bashkohen në një shtet, pasi siç beson ai, inkuadrimi në OKB na mundëson një pozicion më të fuqishëm ndërkombëtar.

Por, ndryshe nga ç’besojnë Erza dhe Denati – një tjetër shoqe e imja, Feride Uka, beson se bashkimi kombëtar është një ëndërr e kahmotshme që patjetër duhet të bëhet realitet.

Në pytjen e dytë “A mendoni se Kosova duhet t’i bashkohet BE-së?”, të intervistuarit tonë u përgjigjen me një qasje mjaft pro-perëndimore.

Ndryshe nga Feridja dhe Erza – të cilat, symbyllurazi shprehen pro lobimit për anëtarësim në BE, Denati shprehet se duhet të kemi kujdes që inkuadrimi të mos arrihet nga ndonjë marrëveshje e imponuar mes Kosovës dhe Serbisë, por si rezultat i përmirësimit të Kosovës në sferat mbi të cilat Bashkimi Europian ka interes.

Në pyetjen e tretë, e cila më shumë kërkon një shpalosje të idealeve të këtyrë të rinjve, të tre japin ide që së bashku mund të krijojnë një program mjaft të kompletuar politik.

Feridja, një e re e pasionuar në fushën e teknologjisë thotë se Kosova duhet të koncentrohet në luftimin e korrupsionit, një dukurie, që sipas saj, Kosovës reflekton me një ekonomi të dobët.

Ajo shton se Kosova duhet t’i jap prioritet zhvillimit teknologjik dhe shtimit të lëndëve programuese në planprogramet arsimore, për “t’i ndihmuar së ardhmës duke ngritur logjikën e nxënësit, për rezultate më të mira.”

Erza beson se Kosova duhet të zhvilloj politikën e jashtme, pasi ajo e dëshiron një Kosovë të pavarur, të anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare dhe të denjë për të shfrytëzuar tërë potencialin e rinisë së vet.

Denati, nisur nga fakti se është nxënës i shkollës së mesme, fillon mendimin e tij vizionar duke shprehur interesin e tij për të përmirësuar gjendjen arsimore e më pas të ulë papunësinë, për të ndalur largimin e të rinjve si ai nga Kosova.

Ai shton se Kosova duhet të ketë priortitet edhe ngritjen ekonomike. Ndër hapat e tjerë që ai beson që duhen të merren për të arritur rezultat, është ngritja e turizmit, nëpërmet investimeve të jashtme dhe atyre qeveritare.

Lajme të ngjashme