“Ku janë mostrat?”: PDK-ja dhe LDK-ja tash kërkojnë drejtësi për Astritin
Deputeti i VV-së, Haki Abazi, sot ka tronditur opinion publik kur ka thënë se njerëzit e partisë në pushtetin e dinë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Kjo deklarata ka nxitur reagimin edhe të partive opozitare, të cilët kanë kërkuar drejtësi për këtë rast.
Deputetët e LDK-së dhe PDK-së kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që menjëherë të marrin masa në zbardhjen e dyshimeve të deputetit Abazi.
Sipas tyre, nga kjo përgjegjësi nuk mund të shpëtojnë kryeministri Albin Kuti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
E para që ka reaguar ka qenë deputetja LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se mostrat e Astriti janë zë për të vërteten.
“Mostrat e Astrit Deharit nuk janë vetëm dëshmi. Janë ZË për të vërtetën! Zëri i tij! Qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë, Institutit të Mjekësisë Ligjore e Prokurorisë nuk mund t’i falet ASNJË sekond më tepër për çdo ditë që kalon pa këtë të VËRTETË! KU janë mostrat? KU janë inçizimet? KUSH e ka ndërmend të jap përgjegjësi në këtë vend pa cinizëm përçarës politik? ‘Demokracitë nuk vdesin gjithmonë në errësirë. Ato vdesin me dritat e ndezura, nga njerëz të zgjedhur me mjete demokratike.’ – thuhet në librin ‘Si vdesin demokracitë’, nga dy shkencëtarë politik të Universitetit të Harvardit. Kjo mungesë e transparencës; kjo gjuhë përçarëse e kjo mungesë absolute e dhënies së llogarisë po na lëndon demokracinë, hapur e me të gjitha dritat ndezur”, ka shkruar Kica-Xhelili.
Të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo ka kërkuar që drejtësia duhet të vepron në mënyrë të menjëhershme.
“Nga një deputet i pushtetit, Haki Abazi, sot dëgjuam për skenar të llahtarshëm të shkatërrimit të mostrave të Astrit Deharit, ‘për të cilin dijnë Ministrja e Drejtësisë, Kryeministri dhe ka dëshmi’. Ky supozim kërkon përgjigje të menjëhershme me dokumentime nga qeveria, por edhe hetime gjithsesi. Është e trishtueshme dhe kriminale që të mos ketë përgjigje e përgjegjësi të dhënë deri tani për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në profilin e saj në “Facebook”.
Intervistimin e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Albulena Haxhiu për këtë rast e ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.
Ai ka thënë se pas dyshimeve të Abazit drejtësia duhet të reagoi.
“Sa është e sinqertë VV në raport me Astrit Deharin?! A u përdor i njëjti vetëm për kauzë politike?! Prokuroria Speciale duhet të veproj menjëherë dhe t’i thërras për intervistim Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun, sepse Haki Abazi në konferencën e tij tha mjaftueshëm dhe ngriti dyshime të arsyeshme. Ky rast duhet të zbardhet me patjetër sepse është në të mirë të familjes, shoqërisë dhe shtetit!”, ka shkruar Lushtaku.
Kurse, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
“I bëjë thirrje prokurorisë që të veproj në mënyrë të pavarur, me efikasitet dhe profesionalizëm për të hetuar dhe zbardhur këto pretendime, e mos të smbrapset as përballë presioneve e kërcënimeve që mund t’i marrë nga ky pushtet, bartësit e të cilit, derisa janë të gatshëm që t’i kërcënojnë publikisht prokurorët në sallat e gjyqit (siç ndodhi para disa ditësh), mund të bëjnë gjithçka jashtë tyre. Dorëheqja ose shkarkimi i Ministres së Drejtësisë, është hapi i parë dhe i domosdoshëm për të mundësuar proces hetimor të pavarur e të besueshëm”, ka shkruar Deliu në profilin e tij në “Facebook”.
Reagimet e pushtetit
Pas akuzave të deputetit të VV-së, Haki Abazi, ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
Në një prononcim për media, ajo ka komentuar deklaratat e deputetit të VV-së.
Ajo ka theksuar se ka kërkuar nga Prokuroria t’i hetojë pretendimet e Abazit.
“Menjëherë pasi e kam kuptuar për akuzat e tij nga mediet, kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që të merret me këtë rast, duke pasur parasysh se ky rast është në dorën e Prokurorisë Speciale, dhe është e rëndësishme që dëshmitari i rastit në këtë rast, të jetë deputeti Haki Abazi në këtë proces, pasi ky rast është i ndjeshëm.” – theksoi ajo, transmeton EO.
Ajo është pyetur edhe rreth video-incizimet të cilat i përmendi Abazi.
“Këtë pyetje duhet të ia bëni Deputetit Abazi. Mua më kanë thënë se kamerat fshihen pas një periudhe.” – është shprehur ajo.
Kurse, avokat i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka kërkuar që deputeti Abazi t`i dorëzojë provat që ka në Prokurori.
“Z.Haki Abazi dorëzoj provat ne Prokurori! Pas prononcimeve të deputetit të Republikës së Kosovës z. Haki Abazi, kam paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të tij në cilësinë e Deshmitarit. Z.Haki Abazi e ka borgj ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor qe te deshmoj dhe ti dorezoj te gjitha provat qe ai pretendon se i ka ne Prokurori e qe kan te bejne me rastin e zhdukjes se mostrave biologjike dhe te gjakut te Astritit, te cilat jane zhdukur nga Instituti i Mjeksise Ligjore ne Prishtine e qe per zhdukjen e tyre eshte bere e ditur para 2 muajve”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.
Dyshimet e Haki Abazit
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, sot ka thënë se njerëzit e pushtetshëm të VV-së kanë dijeni se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në një konferencë për medie, ai ka treguar se audio-incizimet e konfirmojnë këtë gjë.
“Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, pyetjet që ka ngritur ai rreth rastit Dehari kanë bërë që të kërkohet shkarkimi i tij.
“Hulumtimi im, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellur tek shkarkimi dhe anatemomi brenda VV-së. Shkarkimi im është minor ndaj borxhit që kemi se ka ndodhur me rastin Dehari, si është e mundur në pushtetin e VV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit, dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme”, është shprehur ai, duke shtuar se drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj në këtë rast.
“As si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të tillë, dhe duhet ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë temë. Instituti monitorohet 24 orë nga kamerat dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat tjera dhe janë zhdukur. Porosia ime për Albulena Haxhiun është që të kryejë punën e saj”, ka deklaruar Abazi.
Para dy muajve, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar publikun se ishin zhdukur disa mostra të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, i cili kishte vdekur në vitin 2016 në një qendër të paraburgimit.
Haxhiu kishte treguar se ishin zhdukur 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit.
Instituti i Mjekësisë Ligjore funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, e cila udhëhiqet nga vetë Haxhiu.
Pas zhdukje së mostrave të Astrit Deharit, Ministria e Drejtësisë kishte marrë vendim për pezullohen nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

