Ku janë deputetët? Veç 29 deputetë aktualisht prezent në seancën e Kuvendit
Sot Kuvendi i Kosovës po e mban seancën e radhës, ku ka vetëm pyetje të deputetëve e përgjigje të ministrave të Qeverisë Kurti. Ndonëse pytjet parlamentare janë një nga metodat për të përçuar kërkesat direkte të qytetarëve karshi ministrave të ndryshëm, në Kuvendin e Kosovës janë parë pak deputetë, ndërsa disa ministra të Qeverisë Kurti kanë munguar, si p.sh. ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në Kuvendin e Kosovës po qëndron edhe fotografi i Nacionales, Visar Kadrolli, i cili ka dërguar disa fotografi, ku shihen shumë pak deputetë në seancë. Më saktë, në seancë aktualisht janë vetëm 29 deputetë, ndonëse Kuvendi në total ka 120 deputetë.
Në fakt, ka shumë mungesa në radhët e deputetëve të pushtetit, por edhe ata të PDK-së e AAK-së. Madje, edhe kryekuvendari, pra z. Glauk Konjufca, nuk është në sallën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa seancën po e udhëheq Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e VV-së.

Ndryshe, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës, të cilët po refuzojnë t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet nuk do ta keni përgjigjen time, edhe pse e kam tashmë të përgatitur. Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtetet, e jemi të të njëjtit shtet nëse bëhemi fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik dhe shtetëror”, ka thënë Kurti.
Mediet kanë raportuar se pas këtyre fjalëve, deputetët e LDK-së e AAK-së kanë lëshuar sallën, ndonëse në sallën e Kuvendit vazhdon të qëndrojnë Pal Lekaj dhe Albana Bytyqi, dy deputetë të AAK-së.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cilësoi qëndrimin e kryeministrit Kurti për të mos iu përgjigjur pyetjeve parlamentareve të deputetëve të opozitës si diktaturë.
“Me ardh qeveria me na qitë kushte, kjo është diktaturë. Por s’do të lejojmë të instalohet këtu. Pyetjen parlamentare e kam ba për Xhelal Sveçlën, por meqenëse Xhelal Sveçla nuk u ardh me protestu, me ia mbajt zhagun Albin Kurtit këtu, unë pyetje nuk po e bëj, por po i bëj thirrje Xhelal Sveçlës mbledhë kabinetin nga Belvedere e sjelle në Prishtinë e policinë te qet t`i kryejnë detyrat e tyre. Eja dhe binde këtë njeri këtu dhe këta deputetë që t`i votojnë rekomandimet që kanë dalë nga PDK-ja që policëve t’iu rriten pagat. Prandaj, mjaftë më me këtë cirk”, deklaroi Musliu.
Ndërsa Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, e ka cilësuar "kushtëzimin" e Kurtit si shantazh e shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
“Sot për herë të par në parlamentarizmin e Kosovës, refuzon të përgjigjet pyetjeve të deputetëve të opozitës. Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shantazh. Ky tentim për detyrim ndaj deputetëve është i papranueshëm. Po hyjnë në një sistem të paraparë." - deklaroi Gashi, transmeton EO.
Tutje, Gashi vlerësoi se sjellja e Kurtit është ogur i keq për demokracinë kosovare.
"Sjellja e sotme është ogur i keq për demokracinë tonë. Është nivel i ri të demokracisë dhe me sjelljen e arrogancës e kryeministrit ne e lëshuam seancën." - vazhdoi Gashi.
