Ku e humbëm hapin? - NACIONALE

Ku e humbëm hapin?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ngjarjet në Ukrainë, nxitën Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë veprim të njëanshëm për themelimin e Fondit Sovran.

Sivjet Kosova shënon 23 vjetorin e çlirimit dhe 21 vjetorin nga zgjedhjet e para demokratike. Tranzicioni i gjatë dhe i mundimshëm nga sistemi monist, nëpërmes luftës e në demokraci, ka kaluar me trandje shoqërore. Që nga shpallja e pavarësisë, shtetndërtimi është përballur me pengesa të jashtme dhe të brendshme, ndonëse për arsye dhe motive krejtësisht të ndryshme, ka lënë gjurmët e saj.

Mbase i gjithë procesi politik i dekadave të kaluara u takon studiuesve të fushave të ndryshme që të merren në të ardhmen. Mirëpo, zhvillimet aktuale globale që cenojnë sigurinë, e riaktualizojnë rëndësinë e kësaj fushe. Si gjithnjë, faktet e përbëjnë historinë dhe trajtimi i sigurisë në vendin tonë nuk mund të bëhet pa i shikuar zhvillimet në retrospektivë. Segmenti më i rëndësishëm i kësaj fushe është ushtria, e cila përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të sovranitetit.

Procesi i shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura ka pas vetes një varg përpjekjesh të dështuara. Bërja e ushtrisë me ndryshime kushtetuese ishte një rast i humbur për shkak të inateve politike dhe shkurtpamësisë së opozitës. Iniciativa vizionare e ish kryeministrit Thaçi daton nga marsi i vitit 2014 kur në Qeverinë e Kosovës u miratuan amandamentet për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura. Pas përfundimit të të gjitha procedurave deri në Gjykatë Kushtetuese, e cila i dha dritë të gjelbër ndryshimeve kushtetuese, amandamentet erdhën në Kuvend të Kosovës me 5-6 maj 2014 për votim. Këto ndryshime kërkonin 2/3 e Kuvendit për miratim duke i përfshirë edhe komunitetet joshumicë. Kushti i vetëm nga komuniteti serb ishte vazhdimi i vendeve të rezervuara edhe për një mandat. Ky kushtëzim shërbeu si shkas për mosvotim nga ana e partive opozitare, respektivisht LDK dhe LVV, gjë që e çoi vendin në zgjedhje të reja duke e shpërndarë Kuvendin më 7 maj.

Ky moment, shënon prishjen e konsensusit të brendshëm për çështje të interesit vital dhe stagnimin në shtetndërtim e zhvillim.

Si rezultat i rrethanave të krijuara, zgjedhjet e reja prodhuan Listën Serbe në Kuvend, duke i larguar përfaqësuesit e partive serbe që njihnin pavarësinë e Kosovës dhe ishin të gatshëm që të votonin ndryshimet e nevojshme kushtetuese për themelimin e ushtrisë.

Ardhja e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës si forcë politike e kontrolluar tërësisht nga Serbia, përfundimisht mbylli mundësinë e themelimit të mirëfilltë të ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Vetëm pas katër viteve, respektivisht në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës përmes ndryshimeve në legjislacion arriti ta avancojë FSK-në duke i dhënë rol në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, me ç’rast edhe Ministria e FSK-së u shndërrua në Ministri të Mbrojtjes.

Ngjarjet në Ukrainë, nxitën Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë veprim të njëanshëm për themelimin e Fondit të Qeverisë për finansimin e FSK-së. Ndonëse në parim të gjithë pajtohen për investime në sferën e sigurisë, ky veprim ka shumë të meta. Më shumë ngjan në vendim ad hoc e populist, pa strategji të mirëfilltë afatgjate e cila do të shkaktojë shumë probleme. E para, anashkalimi i Kuvendit si institucioni më i lartë i vendit dhe përfaqësimit demokratik e pengon unifikimin e brendshëm dhe e përjashton opozitën nga vendimmarrja duke e demotivuar elektoratin e tyre për të kontribuar financiarisht. E dyta, forma e financimit përmes donacioneve nuk siguron burime të rregullta dhe afatgjate mbi të cilat mund të kalkulohet dhe të ndërtohet strategjia. E treta, donacionet janë mundësi edhe për shpëlarje parash, gjë që do ta dëmtonte rëndë imazhin e institucioneve. E katërta, shumat e dhëna në këtë mënyrë i bëjnë hisedarë të pabarabartë qytetarët, që në fund do të duket më shumë ushtri private se sa institucion shtetëror. Po ashtu, krijon mundësi për protagonizëm i cili tashmë ka filluar nëpër rrjete sociale duke u publikuar me mburrje dëshmitë e pagesave për këtë fond, madje edhe nga figura jokredibile që me shumë gjasë prodhojnë kundërefekt.

Tejkalimi i dëshirës për protagonizëm, krijon mundësi për ndërtim të unitetit të brendshëm e angazhim ekipor. Financimi i rregullt mund të ndodhë përmes ndarjes së shumave nga buxheti i shtetit apo edhe përmes taksës së veçantë e progresive për ushtri, si dhe taksës fikse vjetore për diasporë. Mund të ketë edhe shumë ide tjera por që duhet të diskutohen dhe të merret vendim nga Kuvendi i Kosovës. Në këtë mënyrë, secili e kupton që ka obligim dhe ndihet krenar që po kontribuon për sigurinë e vendit. Krahas kësaj, në këto rrethana është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe kooordinimi i ngushtë me aleatët tanë në krye me SHBA-të, të cilët luajtën rol kyç në çlirim dhe shtetndërtim.

Lajme të ngjashme