'Kthesa' e Kurtit: Zbutet për mallrat serbe para Procesit të Berlinit dhe këstit të parë të Fondit të Rritjes
Kosova qe për një fije floku të larg të mbetej jashtë Procesit të Berlinit, jashtë Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe me reperkusione në Fondin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, përkatësisht këstin e parë që supozohet të paguhet në fund të tetorit ose fillim të nëntorit.
Krejt kjo ishte një perspektivë e hidhët deri para disa ditësh që u hodh poshtë me heqjen e ndalesës së mallrave serbe – e që u pasua me një ‘shpërblesë’ për Qeverinë e Kosovës që largohet UNMIK-u dhe Kosova, ndonëse me asterisk, përfaqëson veten. Krejt kjo falë Gjermanisë: por, e kumtuar nga Qeveria e Kosovës si punë ekskluzivisht e tyre “intensive”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e dha për meritë të Ministrises së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe se tash vendi do të jetë përbrenda CEFTA-s, si Republikë e Kosovës – duke e mos e llogaritur asteriskin.
Asteriski (*) i vendoset Kosovës mbi emër “për të mos ia paragjykuar statusin” e ku janë dy referenca që përjashtojnë njëra tjetrën: Rezoluta 12/44 që nuk njeh Kosovën shtet dhe Opinioni i GjND-së që konfirmon Kosovën shtet.
Emisari i Gjermanisë për rajonin, Manuel Sarrazin – që kohëve të fundit shërbeu si emisar ndërgjegjësues për qeverinë kosovare – e quajti lajm të mirë zhbllokimin e CEFTA-s nga Kosova dhe pa prospekt të mirë për vijimin në samitin e dhjetë vjetorit të Procesit të Berlinit.
“Sot patëm pajtimn e vendimeve të CEFTA-s nga shtatë shtetet...jo me minus një. Tashmë të gjithë janë në bord. Pra i kemi marrëveshjet me vendet e CEFTA-s, plus Moldavia, jo me minus një”,
“Ky është sukses i madh për Samitin që lidhet me vullnetin politik të liderëve të rajonit, ku pas gjithë atyre telasheve e që ishin shumë të dukshme, do të ecim bashkë përpara”, tha sot Sarrazin.
Qeveria e Kosovës kërkonte që për heqjen e bllokadës ndaj mallrave serbe të merrte skenerë me Rreze X para heqjes, ndërsa Sarrazin pati njoftuar se skenerët do të mund të vinin pas: dhe kësisoji edhe mosmarrëveshja.
Për më tepër Kosova në këtë ngërç kërkoi edhe presionin gjerman ndaj Bosnje-Hercegovinës të miratojë marrëveshjen në kuadër të Procesit të Berlinit për lëvizje pa viza, gjë që bllokohet nga entiteti serb atje: Republika Srpska.
Për çështjen e Fondit të Rritjes, ende pritet një raport nga ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak, për “angazhim konstruktiv në dialog” në mënyrë që disbursimi i parë i mjeteve të mund të bëhet i mundur për Kosovën dhe Serbinë që e kanë edhe kusht.
Serbia pretendon se këstin e parë të kredive dhe granteve të Fondit të Rritjes i pranon në fund të tetorit ose fillim të janarit, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, s’ka mundur të thotë me siguri: por se “sivjet...për të mos thënë muajin tjetër”.
“Sot, në Takimin Special të Komitetit të Përbashkët në CEFTA, miratuam vendimin për ndryshimin e rregullave të procedurës, me ç’rast larguam përfundimisht pjesëmarrjen e UNMIK-ut në CEFTA. Tani e tutje, Kosova përfaqësohet nga institucionet e saj”, shkroi Rozeta Hajdari.
“Përgëzime ministres Rozeta Hajdari për angazhimin e vazhdueshëm. Nga sot e tutje, Republika e Kosovës do të përfaqësohet në CEFTA nga zyrtarët e saj, pa UNIMIK”, përgëzoi Hajdarin, Sveçla.