Kthehet në rigjykim nga shkalla e dytë e Komerciales, çështja e pezullimit të ndërtimit të “Rrugës A”
Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar ankesën e të paditurës Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) dhe palëve të interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” sh.p.k, duke e kanë kthyer lëndën për “Rrugën “A” në rishqyrtim dhe rivendosje në dhomën e shkallës së parë.
Vendimi i marrë më 16 nëntor 2023, thotë se çështja kthehet në rivendosje për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Shkeljet e tilla përfaqësojnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore që kanë pasur ndikim në marrjen e aktvendimit të ligjshëm dhe të drejtë, andaj aktvendimi i atakuar, doemos është dashur të prishet”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.
Kundër këtij aktvendimi, në afatin ligjor ka paraqitur ankesë i padituri Organi Shqyrtues i Prokurimit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe aplikimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që gjykata të aprovojë ankesën si të bazuar dhe të prishet aktvendimi i lartcekur.
Gjithashtu, ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Komerciale, kishin parashtruar edhe palët e interesuara- Komuna e Prishtinës dhe “Sallahu” Sh.p.k.