Kryetarët e komunave e injorojnë Kurtin, vetëm dy kryetarë nga opozita i shkojnë në takim
Shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës e kanë injoruar takimin me kryeministrin Albin Kurti. Në takimin e gjashtë të rregullt të shefit të ekzekutivit me të parët e komunave, i cili është mbajtur sot, kanë marrë pjesë vetëm dy kryetarë të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehi, kanë qenë të vetmit që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për takimin, ku kanë marrë pjesë edhe disa ministra.
Duket se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së Qeverisë ndaj komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare.
Në fotografitë e publikuara nga Zyra e Kryeministrit shihen se prezent në këtë takim kanë qenë edhe kryetarët e komunave që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Komuna e Prishtinës në takim është përfaqësuar nga nënkryetarja Jehona Jushaku-Sadriu, ndërsa disa komuna janë përfaqësuar vetëm nga drejtorët adekuat.
Drejtori i ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka komentuar takimin e sotëm.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka deklaruar Qeveria duhet të jetë më serioze në organizimin e takimeve të tilla.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk ka qenë as i konsultuar, as i njoftuar dhe as i ftuar për takimin e sotme. Kryetarët e komunave kanë qenë të ftuar të premten drejtpërdrejt për pjesëmarrjen në këtë takim. Agjenda që është përpiluar nga niveli qendror aty është paraparë që në emër të Asociacionit të flet kryetari Agim Aliu, por as kryetari nuk ka qenë i konsultuar sa i përket kësaj çështje. Ne vlerësojmë se organizimet e tilla me kryetarët të komunave duhet të këtë një qasje më serioze, që ata të njoftohet disa javë përpara, në mënyrë që edhe ne si Asociacion të përgatitemi për takime të tilla”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka treguar shqetësimet e komunave të Kosovës.
“Deri me tani, edhe me pjesëmarrjen e kryetarëve të komunave janë adresuar shumë shqetësime nga kryetarët sa i përket themelimit të grandit të katërt të komunave, kontratave kolektive, ku zbatimi i kontratave është bërë barrë e komunave, ani pse komunat nuk janë nënshkruare. Po ashtu kryetarët kanë kërkuar që të ketë më shumë barazi në ndarje financiare ndaj komunave dhe kjo pabarazi mund të zgjidhet vetëm me themelimin e grandit të katërt. Sepse kryetarët e komunave po vlerësojnë se në ndarjet buxhetore nga ministrit e linjës ndaj komunave po përdoren kritere jo objektive dhe po aludojnë se po ka preferenca politike apo etnike”, është shprehur ai, duke shtuar se Qeveria ende nuk është përgjigjur pozitivisht në kërkesat e komunave që janë diskutuar në takimin paraprak.
“Të gjitha këto shqetësime që janë ngritur në takimet paraprake, përkundër zotimeve nga niveli qendror që kryetarët e komunave do të njoftohen me shkrim për këto dilema, deri me tani kryetarët e komunave nuk kanë pranuar përgjigje të tilla”, është shprehur ai.
Ibrahimi ka thënë se Asociacioni nuk vendos për takime të tilla.
“Asociacioni nuk mund të ua imponojë agjendat kryetarëve të komunave të Kosovës për pjesëmarrje në takime të tilla. Ne i mbrojmë interesat e komunave, por kryetarët e kanë autonomi të plotë për pjesëmarrje në takime ku ata i vlerësojnë si te dobishme”, ka thënë ai.
Çka tha Kurti?
Me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve dhe kërkesave në nivelin lokal, kryeministri Albin Kurti sot ka mbajtur takimin e gjashtë me kryetarët e komunave të Kosovës.
Në këtë takim, ai ka thënë se ndarja buxhetore për komuna për këtë vit është gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak.
“Buxheti i Komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro. Gati gjysmën e buxhetit të disponueshëm Qeveria ia ndan komunave. Po bëhet viti i dytë radhazi që rritja e buxhetit është në përqindje dyshifrore krahasuar me vitin paraprak. Buxheti i vitit 2024 është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023. Kurse nga fillimi i mandatit, për tri vite, buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro.
Shefi i Qeverisë iu ka bërë thirrje kryetarëve për përkushtim dhe angazhim të përbashkët.
“Politikëbërja e bazuar në të dhëna është e rëndësishme si për nivelin qendror ashtu edhe atë lokal të qeverisjes, sepse mundëson planifikim të mirë, shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të burimeve për arsim, shëndetësi, banim dhe punësim për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e vendit tonë”, është shprehur Kurti.
Në adresimin e tij, shefi i ekzekutivit ka folur edhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë.
“Siç jeni në dijeni, regjistrimi i popullsisë do të fillojë në fillim të muajit prill, pra një muaj e gjysmë nga sot. Ky regjistrim do të rezultojë me të dhëna të shumta që do t’i mundësojnë vendimmarrësve e shfrytëzuesve të tjerë, duke filluar nga qeveria e shoqëria civile, bizneset, donatorët e investitorët, të hartojnë politika, zhvillojnë strategji, programe e produkte, dhe ofrojnë shërbime që i plotësojnë nevojat e qytetarëve”, është shprehur ai.