‘Kryengritja' Osmani: Prej “parandalova sanksione ndaj individëve” deri te evitimi i saj nga pushteti porsikur fantazmë
Kurti ia mbathi me të katërtat dje nga gazetarët që provuan të marrin një fjalë-goje rreth ‘kryengritjes’ së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila duke ecur rrugëve – para një librarie – e shprazi krejt mllefin e mbërthyer kohëve të fundit rreth çështjes së evitimit të saj si shefe e politikës së jashtme nga qeveria kosovare.
Në tekst e nëntekst Osmani i lëshoi një-mijë-e-një mesazhe: prej – lexim i brendarreshtave – zëvendësimit t ë saj përnga rëndësia dhe informimi me një OJQ-ist gjerman – e deri te logjika, në vetë fjalët e saj, tallëse, e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se gjoja “largësia” ishte arsyeja.
Vetëm dje doli në sipërfaqe ajo që së paku nga dhjetori i vitit të kaluar del të ketë qenë e rrënjësour thellë. Proverbi thotë që “bëri e futi devja kokën në tendë, e fut edhe krjet trupin”.
E me kokën në tendë brenda, qysh në dhjetor të vitit të kaluar Vjosa Osmani na kishte treguar se çka po ‘zihej’. Kishte bërë të ditur për herë të parë – duke iu referuar instalimti të kryetarëve shqiptarë me një aparaturë të tërë policore – se kishte “parandaluar sanksione të rënda ndaj individëve dhe shtetit”.
Intervistuesi në RTV21, e kishte ndjekur këtë me vëmendje këtë linjë të Osmanit: “E keni fjalën për zotin Kurti apo jo?”, e pyeti ai gjysmë-konstatueshëm. “Nuk flas me emra individësh”, i kishte thënë Osmani duke mos e mohuar emërtimin e vetë Kurtit.
“Jam angazhuar që nga ajo ditë (26 maji)”, vazhdonte Vjosa Osmani, “që të parandaloj shumë masa më të rrepta; partnerët tonë i dinë shumë mirë çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë e çdo natë”.
“Nga 24 orë kam punuar që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve”.
E këto masa – fjalë për të përzbutura për sanksione – ishin gjithandej në ajr në atë kohë, kur Kurti ia vinte në dyshim gjykimin e shëndosh Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, duke e quajtur “naiv” në “The Guardian”; pasi ky i fundit e kishte denoncuar për “masa të dhunshme” kursin e ndjekur në veri të vendit të banuar me shumicë serbe.
“Po flas për përpjekje të mia. Kam punuar me ambasadorë këtu, me Departamentin amerikan të Shtetit...në mënyrë që të parandalohen masa shumë më të ashpra në raport me Kosovën, dhe këtë e kemi arritur”, tha Osmani gjatë intervistës duke folur për atë kohë.
Osmani edhe eksplicit nga zyrtarë amerikanë vërehej si “garantuesja e parë” e ruajtjes së marrëdhëieve Kosovë-ShBA; marrëdhënie këto në rënie të lirë ku vetë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien kishte paralajmëruar se ShBA do t’i reciprokonte me “mospartneritet”.
Sidomos pas çështjes së dinarit, ajo çka për tri vite ishte “në dukje dy, përbrenda një” mes Kurtit dhe Osmanit, kishte nisur të manifestohej në dy traka. Osmani e jepte pa-një-pa-dy se ndryshe nga Kurti, po qëndronte brenda orbitës amerikane.
Deklarimi i Konjufcës si ‘qesharak’ për Osmanin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, rroku nervin e keq të Osmanit kur në përpjekjet për të arsyetuar mosnjoftimin e Osmanit rreth letrës së qeverisë kosovare në emër të Gërvallës për Asociaconin e dha si çështje mosprezence fizike të saj në vend. “Largësia”, sipas Konjufcës, çoi te mënjainimi i komunikimit me Osmanin në këtë çështje.
Osmani në këtë kontekst e ka shterrur logjikën e Konjufcës me tonet më të mprehta ndonjëherë, por Nacionale merr vesh se indinjata e saj mund ta ketë burimin edhe shumë më thellë se kaq. Kjo ngase, siç kuptojmë nga burimet tona, dy-tri ditë para dërgimit të letrës së Gërvallës (15 maj), Vjosa Osmani nuk kishte qenë jashtë vendit, por kishte mbërritur në Kosovë.
Nga Dallas-i (ShBA) më 11 maj ora 20:40 Vjosa Osmani kishte fluturuar për në Stamboll (Turqi) ku kishte ateruar më 12 maj ora 16:50 , ndërsa prej Stambollit më 12 maj ora 19:00 kishte ateruar në Shkup në po atë ditë në ora 19:30. Këtë kohëndodhje e kuptuam nga burimet e Nacionales.
Por, përtej kësaj, edhe në një rishikim në profilin e saj në Facebook, një gjë e tillë del të jetë e lexueshme dhe e faktueshme.
Më 13 maj Vjosa Osmani, ka postuar në Facebook prej objektit të Presidencës së Kosovës, duke u regjistruar dhe duke u bërë thirrje qytetarëve që të regjistrohen në censusin e vitit 2024 që po kryhej nga Agjencioni Kosovar i Statistikave.