Kryeministri Kurti takon 12 gazetarët ukrainas
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar 12 gazetarët ukrainas që po banojnë në Prishtinë, në kuadër të programit të mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Journalists-in-Residence (JiR Kosovo).
Shefi i qeverisë ka deklaruar se ai dhe populli i Kosovës bashkëndjejnë me dhimbjet e humbjet e popullit ukrainas.
“Është nder dhe kënaqësi e veçantë të ju takoj në këtë ditë feste dhe pushimi”, është shprehur Kurti.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministri, Kurti i ka falënderuar për qëndresën në Ukrainë, ku partnerët e dy gazetareve janë në front të luftës.
“Gazetarët shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për mbështetjen dhe mikpritjen e ngrohtë që u ka ofruar Kosova dhe populli i saj. Kjo i ka bërë të ndjehen si në shtëpi në këto kohë të vështira për ta, popullin dhe vendin e tyre. Ata ndanë me kryeministrin nga përvojat e tyre në Kosovë dhe angazhimet profesionale. Kryeministri Kurti u uroi Krishtlindjet Ortodokse gazetarëve ukrainas me besim ortodoks që festojnë edhe sot. Krishtlindja ortodokse këtë vit për herë të parë po shënohet në dy data, me 25 dhjetor dhe 7 janar, me vendim të Kishës Ortodokse të Ukrainës (OCU) pas invazionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.