Kryeministri i Spanjës arrin në Ukrainë për t’u takuar me Zelensky-n
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka arritur në Ukrainë për t’u takuar me presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky, në prag të njëvjetorit të luftës në Ukrainë, njoftoi zyra e kryeministrit spanjoll të enjten.
Pasi arriti në Kiev, Sanchez-i u prit nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, ambasadori i Ukrainës në Spanjë dhe ambasadori i Spanjës në Ukrainë, thuhet në njoftim.
Vizita e kryeministrit spanjoll erdhi pas premtimit të presidentit amerikan, Joe Biden, për ndihma të reja ushtarake për Ukrainën me vlerë të 500 milionë dollarëve gjatë një vizite të befasishme në Kiev të hënën.
Të martën, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, gjithashtu e vizitoi kryeqytetin ukrainas për të biseduar me presidentin ukrainas. Ajo u zotua për ta vazhduar përkrahjen ndaj Ukrainës, por e përjashtoi mundësinë e dhurimit të aeroplanëve luftarakë, raporton agjencia “Reuters”.
Të mërkurën, ministrja e Mbrojtjes e Spanjës, Margarita Robles, u tha ligjvënësve në dhomën e ulët se Madridi do ta furnizojë Ukrainën me gjashtë tanke gjermane të tipit “Leopard 2A4”, pasi ato t’u nënshtrohen riparimeve, ndërsa dërgesa pritet të bëhet në fund të marsit ose në fillim të prillit.
