Kryediplomatit hungarez s'i bëhet vonë për luftën, bisedon për energjinë me zëvendëskryeministrin rus
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, zhvilloi bisedë telefonike me zëvendëskryeministrin e Rusisë, Alexander Novak, për dërgesat e gazit dhe naftës si dhe bashkëpunimin bërthamor, njoftoi të martën vonë vetë ministri.
Në një deklaratë, kryeministri hungarez tha se zëvendëskryeministri Novak e siguroi përsëri që pavarësisht nga sanksionet ndërkombëtare, pala ruse do të mund ta kryejë punën e mirëmbajtjes së gazsjellësit “Turkstream”, raporton agjencia “Reuters”.
“Prandaj furnizimi i Hungarisë me gaz do të vazhdojë pa asnjë pengesë”- thuhet më tej në deklaratë.
Sipas një marrëveshjeje 15-vjeçare të nënshkruar më 2021, para fillimit të luftës në Ukrainë, Hungaria mori 4,5 milionë metra kub gaz çdo vit nga Rusia kryesisht përmes Bullgarisë dhe Serbisë, nëpër gazsjellësin “Turkstream”.
Qarkullimi i gazit nëpër këtë gazsjellës do të ndalet për shkak të mirëmbajtjes nga 5 deri më 12 qershor, sipas të dhënave në uebfaqen e operatorit bullgar për transmisionin e gazit, “Bulgartransgaz”.
Szijjarto përsëriti në deklaratën e tij se Hungaria do të bllokojë çfarëdo sanksioni të Bashkimit Evropian që do ta prekte energjinë bërthamore.
Hungaria, shtet që shumicën e burimeve të energjisë i blen nga Rusia, planifikon që t’i zgjerojë centralet e energjisë bërthamore në Paks. Kompania ruse “Rosatom” do të ndërtojë dy reaktorë me kapacitet prej 1,2 gigavatësh secili, përpos katër reaktorëve që tash për tash janë në funksion.
Szijjarto tha se e informoi Novakun që Hungaria është në bisedime për ta rritur rolin e kompanisë franceze “Framatome” për zgjerimin e centralit në Paks, pasi qeveria gjermane po e bllokon dërgimin e pajisjeve të kontrollit për reaktorët e rinj në Paks.

