Hungaria del kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata evropiane - NACIONALE

Hungaria del kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata evropiane

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha të martën në Budapest se vendi i tij do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pas një takimi me homologun serb, Ivica Daçiq, Szijjarto tha se pozicioni i Hungarisë është që pranimi i Kosovës në organizata të caktuara evropiane do ta rrezikonte arritjen e një kompromisi.

Në një konferencë për medie pas takimit me Daçiqin, ministri hungarez tha se arritja e një zgjidhjeje përmes dialogut të vërtetë është ajo në të cilën Hungaria është e interesuar.

Szijjarto shtoi se marrëdhëniet mes Hungarisë dhe Serbisë janë më të mirat në dhjetë vitet e fundit, por, pavarësisht nga kjo gjendje e mirë, të dyja vendet duhet t’u kundërpërgjigjen së bashku dy sfidave kyçe: pasojave të konfliktit në Ukrainë dhe krizës së emigrantëve.

Në anën tjetër, ministri serb tha se Serbia beson që çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me kompromis dhe se është shumë e ndjeshme ndaj zbatimit të standardeve të dyfishta në lidhje me integritetin territorial.

“Ose është parimi i integritetit territorial, ose jo. Dikush nuk mund të jetë në favor të tij në një rast dhe pastaj të flasë ndryshe në një tjetër”- tha kryediplomati serb.

Duke i komentuar marrëdhëniet mes Serbisë dhe Hungarisë, Daçiqi tha se të dyja vendet duhet të mbështeten në njëra-tjetrën në mënyrë që të kenë sasi të mjaftueshme të energjisë me çmime adekuate.

Pas takimit me homologun Szijjarto, Daçiqi u takua edhe me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Lajme të ngjashme