Kryediplomati britanik në Kosovë: Çka u bisedua në takim me Kurti dhe për çka i erdhi mirë? - NACIONALE

Kryediplomati britanik në Kosovë: Çka u bisedua në takim me Kurti dhe për çka i erdhi mirë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron po qëndron për vizitë në Kosovë për herë të parë. Ai të mërkurën mbrëma ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa sot do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Por çka bisedoi Kurti me Cameronin?

Vizitën e tij të parë për vitin 2024, Sekretari i Jashtëm britanik ka vendosur ta bëjë në Kosovë.

Cameron është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe disa nga ministrat e tij.

Zyra e Kryeministrit ka publikuar disa pamje, në të cilat Cameron dëgjohet duke treguar për takimet në Bruksel gjatë kohës kur Britania ishte në BE dhe ai kishte pozitën e kryeministrit.

Cameron ka folur për atë kohë, duke kujtuar punën e tij për të argumentuar njohjen e Kosovës.

Më vjen mirë që kemi pasur atë qëndrim.” – dëgjohet duke thënë Cameron.

Gjithashtu, sipas njoftimit të ZKM-së, Sekretari Cameron u shpreh krenar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës dhe për vendimin dhe qëndrimin për ta njohur sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

Tutje, ai ka thënë se do të ndihmojnë Kosovën në fushën e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe me të gjitha çështjet që përballet vendi i ynë.

Unë jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim juve. Duam që të ju ndihmojmë në rrafshin e sigurisë, atë të zhvillimit ekonomik, të qeverisjes dhe në të gjitha çështjet me të cilat përballeni. Kemi qenë mbështetës afatgjatë të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë.” – ka thënë ai.

Ndërkaq, në këtë takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet mes dy shteteve si dhe mundësit për bashkëpunime të reja.

Sipas njoftimit, Kurti e ka njoftuar Cameronin për të arriturat e Kosovë dhe për punën e qeverisë, si dhe për grantimin e sigurisë përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë.

Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Cameron me progresin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në tri vitet e fundit, sa në aspektin ekonomik ashtu edhe demokratik e të sundimit të ligjit. Foli për sukseset dhe sfidat e vitit 2023 dhe përkushtimin e tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik krahas luftimit të krimit dhe korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve përmes punësimit dhe politikave të duhura sociale, dhe garantim të sigurisë dhe paqes në vend përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë.” – thuhet në njoftim.

Më tej, Kurti e ka falënderuar Sekretarin e Cameron për ndihmën e shtetit të tij si dhe për shtimin e trupave britanikë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Ai e falënderoi Sekretarin Cameron për kontributin e tij edhe sa ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë Kosovës në çlirimin, pavarësimin, demokratizimin, zhvillimin e brendshëm dhe integrimin ndërkombëtar, dhe tash së fundmi në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Serbinë me zbarkimin e kontingjentit të parë prej 200 ushtarëve britanikë në tetor të vitit të kaluar në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.” – thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.

Ndërkohë, Cameron edhe sot po qëndron në Kosovë ku pritet të takohet me presidenten Osmani.

Takimi mes tyre do të fillojë në orën 09:10 dhe zhvillohet në Zyrën e Presidentes.

Lajme të ngjashme