Kriminelët e luftës, pjesë e listave zgjedhore në Serbi
Serbia që synon integrimet në BE, do të shkojë drejt qendrave të votimit më 3 prill për të zgjedhur presidentin, parlamentin dhe kryebashkiakun e ri të Beogradit. Mirëpo Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut ka dhënë alarmin se kriminelët e dënuar të luftës po marrin pjesë në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet, të kryesuar nga Aleksander Vuçiq.
Fushata për zgjedhjet e radhës në Serbi po karakterizohet me një konsensus pothuajse i përgjithshëm, me përjashtime të rralla, si ajo që në Srebrenicë nuk ka ndodhur asnjë gjenocid.
Dominimi i narrativave nacionaliste, mohimi i fakteve të vërtetuara gjyqësore dhe retorika që fuqizon ndarjet në rajon po shpërfaqin metodat populiste për të marrë sa më shumë vota në zgjedhje.
Praktika e festimit të krimeve të luftës dhe glorifikimit të kriminelëve, e cila i çnjerëzon viktimat e krimeve të luftës, tenton të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit të ish-Jugosllavisë.
Veprimtaria politike e kriminelëve të luftës dhe mbështetjet e ndërsjella mes tyre dhe partive politike në fushatën zgjedhore, i poshtëron edhe më shumë viktimat krimeve dhe është një pengesë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon, thuhet në raportin e YIHR në Serbi.
Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Informacionit në regjimin gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, i cili vazhdimisht e ka mohuar gjenocidin gjatë luftës së Kosovës. Pas vrasjes brutale të 8,372 boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë brenda më pak se dy javësh, dhe presionit ndërkombëtar në rritje, Vuçiq ishte ndër ata që kërcënuan komunitetin ndërkombëtar të mos hakmerret kundër Serbisë.
Vetëm 9 ditë pas gjenocidit të tmerrshëm, më 20 korrik 1995, Vuçiqi i tha botës: “Ejani të na bombardoni, vrisni një serb dhe ne do të vrasim 100 muslimanë. Dhe pastaj do të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare guxon të sulmojë pozicionet serbe dhe ta trajtojë popullin serb në këtë mënyrë”.
Të përmendurit në raport përfshijnë edhe Veselin Slivancanin, Nikola Shainoviq dhe Vladmir Lazareviq. Ky i fundit është gjeneral në pension, i dënuar me 14 vjet burg nga Haga për deportim dhe trajtim çnjerëzor të shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës 1998-1999.
Slivancanin ishte oficer në Armatën Popullore Jugosllave dhe mori dhjetë vjet burg për përfshirje në torturimin e të burgosurve dhe bashkëpunim në vrasjen e 260 njerëzve gjatë luftës në Kroaci.
Shainoviq ishte zëvendëskryeministër i Jugosllavisë dhe u dënua me 18 vjet burg për vrasje, dëbime dhe trajtim çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës.
Katër kandidatë tjerë që po marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare (Lilana Mihailoviq, Vjerica Radeta, Petar Jojiq, dhe Bozhdar Deliq) janë persona po ashtu të implikuar me luftën dhe krimet e luftës.
Gjatë luftës në Kosovë, Bozhidar Deliq komandonte Brigadën 549, e cila ka vepruar në rajonin e Prizrenit, Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës, ku 2,174 njerëz u vranë midis marsit dhe qershorit 1999.
Momir Stojanoviq, i cili mori pjesë në planifikimin e operacionit 'Lumi', ku më 27 dhe 28 prill 1999 u vranë 350 civilë shqiptarë, mbështet kandidaturën presidenciale të Zdravko Ponosh.
Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë është qëndrimi i shumicës së listave zgjedhore dhe kandidatëve. Bartës të mohimit banal të gjenocidit në Srebrenicë, janë përfaqësuesit e Partisë Radikale Serbe, koalicionit NADA, si dhe kandidatët për president Millosh Jovanoviq, Boshko Obradoviq, Misha Vaçiq, dhe Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski.