Krejt çka tha Albin Kurti për martesat e seksit të njëjtë
Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës është diskutuar për projekt kodin civil, i cili do t’i jepte të drejtë mundësisë së martesave në mes të seksit të njëjtë. Gjatë seancës fjalën e mori edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u kërkoi votën pro kësaj nisme legjislative, por pa suksesshëm, pasiqë në favor votuan vetëm 28 deputetë.
Në fjalimin e tij relatvisht të gjatë, Kurti tha se ky projekt kod nuk njeh martesat ndërmjet seksit të njëjtë.
Tutje, ai e bëri të qartë se është në favor të miratimit në shqyrtim të parë.
“Sa i përket një neni, apo një gjysëm neni, duhet të bëj 3 sqarime. Sqarimi i parë është që nuk bëhet fjalë, as për martesë as për adoptim të femijëve. Le t’I heqim të gjitha dilemat sa i përket nenit 1138”, tha Kurti në Seancë.
Më poshtë e gjeni fjalimin e plotë të Kryeministrit Kurti:
“Siç ju thashë edhe më herët, 1630 nene në 997 faqe, me 5 libra.
Unë i falenderoj të gjithë ata që kanë punuar, jo vetëm në këtë vit e në vitin e kaluar, po përgjatë gjitha viteve, që të vijmë tek një produkt i këtillë. Sa i përket një neni, apo një gjysëm neni, duhet të bëj 3 sqarime. Sqarimi i parë është që nuk bëhet fjalë, as për martesë as për adoptim të femijëve. Le t’I heqim të gjitha dilemat sa i përket nenit 1138. Nuk bëhet fjalë për martesë ose për adoptim të fëmijeve, për funksionet e tjera të familjes. Bëhet fjalë vetëm për paralajmërimin për ligj për Bashkësi Civile. Pra, ne po paralajmërojmë që do të ketë një ligj të veçantë për këtë gjë. Mirëpo, nuk bëhet fjalë për martesë dhe për adoptimin e fëmijeve, siç mund ta ketë keqkuptuar ose keqinterpretuar dikush. Kjo është e para. E dyta, unë si kryeministër i Republikës së Kosovës edhe si kryetar i subjektit më të madh në Kosovë, unë besoj në të drejtat e njeriut. Unë besoj që të drejtat nuk duhet t’i meritojmë. Të drejtat na burojnë nga qenia, të mirat vijnë nga puna, të drejtat burojnë nga qenia. Me vetë faktin që je njeri, ke të drejta. E jemi të ndryshëm, disa janë më shumë të ndryshëm, por të gjithë jemi njerëz. Dhe unë besoj në të drejtat e njeriut. Pra, kjo është tejet e rëndësishme. Baza e argumentimit dhe arsyetimit tim, janë të drejtat e njeriut. Unë nuk besoj që duhet t’i meritojmë të drejtat, të drejtat na takojnë. I takojnë gjithësecilit , edhe atij që nuk është sikur unë. Nuk ka kuptim të drejtat t’i takojnë vetëm atij që është sikur unë. Ne, edhe pse jemi të ndryshëm, mund dhe duhet të jemi të barabartë. Kjo është baza e justifikimit që unë po them. Kjo është pikënisja e arsyetimit për qëndrimin që po e prezantoj. Dhe, krejt në fund, aty është fjala lejohet. Është pak paradoksale që të shkruhet një nen ku thua lejohet. Prandaj është edhe amandamentimi për leximin e dytë ku do të votohet përfundimisht. Është më e udhës, që të thuhet, ta zëmë, që Bashkësia Civile do të rregullohet midis sekseve të njejta. Do të rregullohet me ligj të veçantë. Pra, kjo gjë do të mund të behet në Komision. Unë besoj që nuk është më e përshtatshmja fjala lejim në nen. Është paradox juridik. Kuptimi është i njejtë, por nuk është shprehja e përshtatshme juridikisht. Po për atë është amandamentimi dhe është leximi i dytë. Dhe krejt në fund, të nderuar deputetë. Sipas studimeve aq të shumta saqë të panumërta, afër 10% të popullësisë, janë pakica seksuale. Ne të gjithë e dijmë. Ne mund të vendosim t’i mbyllim sytë. Dhe këto bashkëjetesa, e këto Bashkësi Civile, tashmë po ndodhin. Ajo çfarë unë po them të bëjmë është të ndodhë regjistrimi. Nuk besoj që ka dikush prej juve, që beson se duhet të ndërhyjmë në këto Bashkësi Civile e në këto bashkëjetesa të sekseve të njejta që tashmë po ndodhin. A ka dikush prej juve që beson që duhet të ndërhyjmë? Pra, realisht, neni 1138 thotë mos t’i mbyllim sytë e t’i regjistrojmë. Dhe kjo të bëhet me një ligj të veçantë më vonë. “