Krejt çka ndodhi me tenderin e komunës së Podujevës për larjen e makinave: Gazetarja shahet, fyhet e kërcënohet
Komuna e Podujevës para disa ditësh i ka dhënë tender kompanisë nga Prizreni, GeoGroup ING Sh.P.K, për larjen e makinave zyrtare të komunës. Kjo kompani drejtohet nga Jetmir Mustafa, dhe sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, bëhet e ditur se ka vetëm dy punëtor.
Gazeta Nacionale ka raportuar për këtë tender, duke bërë të ditur se zyrtarët në Komunën e Podujevës do të detyrohen të udhëtojnë 115 kilometra larg për të pastruar veturat e tyre, dhe bëhet e ditur se në tender nuk lejohet të ketë nënkontraktues.
Pas këtyre publikimeve kanë reaguar Komuna e Podujevës, me në sqarim duke thënë se ka qenë një gabim teknik, dhe se kompania GeoGroup ka bërë një kontratë nënkontraktuese me një autolarje në Podujevë, dhe bëhet fjalë për autolarjen Rremi.
Me publikimin e sqarimit nga komuna, bëhet e ditur se GeoGroup dhe autolarja Rremi kanë lidh kontratë nënkontraktuese në muajin prill 2023, ani pse tenderin nga komuna, kompania në fjalë e ka fituar në maj 2023.
Ekipa e Nacionales gjatë ditës së enjte ka udhëtuar për në Prizren, për të parë nga afër lokacionin e kompanisë.
Me të arritur në fshatin Sërbicë të poshtme të Prizrenit, saktësisht në rrugën Idriz Bytyqi, aty afër nuk del të ketë ndonjë objekt të kompanisë GeoGroup.
Pas kësaj gazetarja e Nacionales, Eriola Cacaj ka kontaktuar me pronarin Jetmir Mustafa, i cili në prononcimin e tij potencoi se i ka gjashtë punëtorë, duke kundërshtuar të dhënat e tij në ARBK.
Mustafa i është drejtuar me fjalë fyese dhe kërcënuese gazetares.
“Po me Jetmir Mustafën je duke folur, edhe qetash kemi debat goxha të fortë se po hani m*t, po hani. Edhe shyqyr që me thirre. Kam me të qitë në telash, kam me të qitë. Punojmë ne të gjitha anët ku ka tendera publik, kemi aktivitet, zhvillojmë sipas ligjit. Çka po hani m*t palidhje?” – ishin disa nga fjalët e tij që i ka thënë gazetares.
Ai gjithashtu ka vazhduar me fjalorin e tij të ashpër ndaj gazetares, përderisa ka pranuar që nuk ka asnjë autolarje.
Ndër të tjera Mustafa ka kërkuar nga ekipi i Nacionales që të takohen në një vend.
“Nuk jemi mirë në krye hiq, po folni pa argument. Ju gazetarët nëse doni shkoni ... me atë kontratë, me institucione e me krejt, politik nuk jam, jam njeri që punojë. Hajdeni në kompani të ju kallxoj çka ka tek ka, e masandej e diskutojmë. Hajdeni te Liburnia, tek objeki i Liburnisë e kam objektin edhe kqyre çka ka tek ka. Gazetar pa dije, gazetar pakrye, trullana krejt. Gjashtë punëtorë i kam.” – ka thënë ai ndër të tjera.
Pas publikimi të videos nga Nacionale, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke dënuar ashpër sharjet e kërcënimit e pronarit të kompanisë ndaj gazetares Eriola Cacaj.
AGK-ja përmes një postimi në Facebook ka konsideruar se gjuha e pronarit të kompanisë nga Prizrenit drejtuar gazetares është e pa pranueshme.
Të njëjtit kanë ftuar të gjitha palët që të përmbahen nga kërcënimet ndaj gazetarëve.
“Kërcënohet gazetarja Eriola Cacaj Redaksia e portalit “Nacionale”, ka njoftuar për kërcënimin që i është bërë gazetares, Eriola Cacaj, e cila po raportonte për tenderin për larjen e automjeteve të komunës së Podujevës. Pronari i kompanisë nga Prizreni, që e ka fituar tenderin dëgjohet në bisedë telefonike duke ofenduar dhe kërcënuar gazetaren, e cila po hulumtonte për kompaninë. AGK-ja, e konsideron këtë gjuhë të papranueshme, dhe fton të gjitha palët të përmbahen nga kërcënimet ndaj gazetarëve, në mënyrë që ata të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre të papenguar.” – thuhet në reagimin e AGK-së.


