Krejt çka dihet për rastin e helmimit të 158 personave në një lokal në Malishevë
Gati 160 është nurmi i qytetarëve të Malishevës të cilët janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në një lokal në këtë qytet. Ndërkaq, ndaj pronarit të lokalit është kërkuar masa e parburgimit. Ky rast ka nxitur reagime të shumta. Çka dihet deri më tani?
Që nga dita e premte, rreth 160 qytetarë të Malishevës kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit me ushqimin e konsumuar në një lokal në Malishevë.
Sipas autoriteteve lokale, numri i përgjithshëm i presona të helmuar ka shkuar në 158 raste, por sipas tyre situata është në kontrollë.
“Është rritur në 158 raste numri i personave të helmuar, por situata është nën kontrollë dhe po monitorohet në vazhdimësi nga organet kompetente. Sipas drejtorit për shëndetësi, Hajdin Berisha dhe drejtorit të QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, pavarësisht rritjes së numrit të personave të helmuar, situata është nën kontrollë të plotë dhe janë marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore. Për informacione të tjera do njoftoheni me kohë në orët në vijim.” - thuhet në njoftimin e komunës.
Gjithashtu, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka kryer inspektime në këtë lokal, ku ka asgjësura rreth 64 kilogramë mish pa origjinë.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, të shtunën në një konferencë për media ka treguar për gjendjen e këtij lokali.
“Gjendja e përgjithshme sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. Ky vlerësim është bërë nga ekipi inspektues. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit e atij lokali, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur të kryer dezinfektim, deratizim dhe dezinsektime, që përsëri është kriter.” – ka thënë Thaçi.
“Po ashtu, aty janë gjetur disa produkte që ne i quajmë pa origjinë, nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë gatuar brenda asaj kuzhine, dhe këto të gjitha janë fakte që do t’i evidentojmë në proces dhe më pas organet tjera do t’i vlerësojnë.” – ka thënë ai.
Kërkohet paraburgim për pronarin
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar një muaj paraburgim ndaj pronarit të lokalit në Malishevë.
Vepra penale më të cilën ngarkohet pronari i lokalit është “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet K.SH ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega Malishevë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, i pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.” – thuhet në njoftim.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri K.SH, ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” nga neni 161 të KPRK-së, ku sipas hetimeve të Prokurorisë dhe të dhënave nga Policia e deri më tani rezulton që në restorantin e të dyshuarit si pasojë e konsumimit të ushqimeve janë helmuar mbi 100 persona.” – thuhet në përfundim të njoftimit.
Në ndërkohë, për këtë rast ka pasur shumë reagime. Ndër to ka është edhe reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vitia ka dhënë detaje për pacientët që kanë kërkuar ndihmë për shkak të helmimit.
“Mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuam për rastin e helmimit të 68 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së i vizituam të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK. Në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë dhe 9 qytetarë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit. Gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile. Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit.” – ka shkruar ai në Facebook.