Krejt çka dihet për dy vrasjet që tronditën Kosovën mbrëmë - NACIONALE

Krejt çka dihet për dy vrasjet që tronditën Kosovën mbrëmë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy ngjarje të rënda kanë tronditur të mërkurën mbrëma Prishtinë. Një grua është vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa në rastin tjetër, një burrë është ther me thikë për vdekje. Çka dihet deri më tani.

Në rastin e parë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vrarë një grua.

Sipas raportimeve, viktima dyshohet se është gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.

Rastin për Nacionalen e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti. Ajo ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 20:20. Sipas zëdhënëses, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.

Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën "Dalip Alshiqi" në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.” – ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, pak çaste pas këtij rasti, Policia e Kosovës për Rajonin e Prishtinë, ka konfirmuar edhe një vrasje tjetër në kryeqytet.

Sipas policisë, një burrë është vrarë me thikë nga një burrë tjetër.

Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arritur t'i përballoj plagët dhe i njëjti ka vdekur.” – ka thënë zëdhënëja e policisë, Flora Ahmeti.

Ndërsa në raportin 24 orësh të PK-së, bëhet e ditur deri te vrasja ka ardhë për shkak të një mosmarrveshje, ku dyshohet se dhëndri e ka ther me thikë për vdekje vjehrrin e tij.

VRASJE Rr. Ali Vitia, Prishtinë 29.11.2023 – 21:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në raportin 24 orësh të PK-së.

Lidhur me këto vrasje, ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku duke thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë.

Dy vrasje brenda natës në kryeqytet. Përtej dhimbjes dhe solidaritetit me familjarët e viktimave, dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë shkallë të pasigurisë. Vrasje, plaçkitje, rrahje gjithandej. E tmerrshme.” – ka shkruar Çitaku në Facebook.

Gjithashtu, edhe analistët të tjerë e qytetarë të shumtë kanë reaguar në rrjetet sociale duke kërkuar që të shtohet edhe më shumë siguria.

Këto nuk janë rastet e vetme, pasi ditë më parë si pasojë e një grabitje të armatosur në Suharekë, mbeti i lënduar një polic.

Lajme të ngjashme