Krasniqi lavdëron ministren shqiptare të Turizmit: Krenar me sukseset e saj dhe shembullin që po i jep Kosovës
Kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në takim ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi,
Ai e ka vlerësuar lartë punën e mikes së tij, duke thënë se edhe fal punës së saj Shqipëria ka arritur të bëhet destinacion i jashtëzakonshëm turistik.
Profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se ajo edhe më herët ka bërë punë të mira për Shqipërinë.
“Me Mirela Kumbaro Furxhin, në periudhën e njëjtë kemi qenë ministra të Kulturës të shteteve tona dhe kemi pasur një bashkëpunim institucional të shkëlqyer dhe frytdhënës. Mes tjerash, për herë të parë, në vitin 2014, patëm krijuar e zbatuar edhe kalendarin e përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri, për bashkërendimin e aktiviteteve kulturore e artistike. Sot, pata kënaqësinë ta pres në takim miken time, tani si ministre të Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë. Duke e njohur mirë përkushtimin dhe pasionin e saj ndaj detyrës, Shqipëria ka arritur të bëhet destinacion i jashtëzakonshëm turistik, edhe falë punës së suksesshme dhe angazhimit të Mirelës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se ministrja në fjalë po e ndihmon edhe Kosovën.
“Ishte mbresëlënëse të dëgjoj planet dhe vizionin e saj për zhvillimin dhe transformimin e mëtutjeshëm të Shqipërisë, që dita-ditës po vlerësohet gjithandej globit. Krenar me sukseset e saj dhe shembullin praktik që po i jep Kosovës – e cila ka nevojë që të shfrytëzoj më shumë dhe më mirë potencialin e saj turistik”, ka shkruar ai.