Krasniqi: Konjufca ka qenë i ftuar në foltore në marsh, është çështje e tij pse nuk erdhi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca ka qenë i ftuar që të mbajë fjalim në ‘Marshin për Drejtësi” që është mbajtur me 2 prill në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në Hagë.
Krasniqi ka thënë se e ka konsideruar që është e mirë pjesëmarrja e Konjufcës në marsh, dhe sipas tij është çështje e kreu të Kuvendit se pse nuk ka marrë pjesë.
“Konjufca ka qenë i ftuar të jetë në foltore. Çështje e tij pse nuk erdhi. E ka bërë një publikim në Facebook. Kam komunikuar vetë me të dhe kam shprehur dëshirën që ai të jetë aty. Më thanë edhe organizatorët se kanë biseduar me të. Kam konsideruar se ai do të ishte mirë që të ishte aty. Por nuk dua të komentoj mungesën e liderëve në marsh.” – ka thënë Krasniqi në T7.
