Krasniqi: Fituam në Zveçan e Zubin Potok, PDK e vendosur për të ofruar qeverisje gjithëpërfshirëse
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një shkrimi në Facebook, ka konfirmuar fitorën e PDK-së, në Zveçan e Zubin Potok. Krasniqi ka uruar dy kryetarët e rinj, Ilir Pecin e Izmir Zeqirin.
Tutje Krasniqi ka thënë se PDK, do të përkujdeset të qeverisë për të gjithë qytetarët, pa dallime.
Gjithashtu i pari i PDK-së, nuk la pa përmendur pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje, duke kritiuar Qeverinë, për degradim të situatës në atë pjesë.
Statusi i plotë:
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok, në zgjedhjet e sotme lokale për katër komunat e pjesës veriore të vendit.
I uroj Ilirin dhe Izmirin për fitoret, por edhe Albulenën e Taulantin për angazhimin dhe punën e palodhshme në komunat ku garuan. Ndërkaq, falënderimi më i madh u takon të gjithë atyre qytetarëve të cilët edhe sot i besuan PDK-së, kandidatëve dhe ofertës tonë.
Përtej kësaj, e rëndësishme është që procesi i sotëm ishte i rregullt dhe i qetë. Megjithatë, mbetet shumë shqetësues fakti që situata në pjesën veriore ka degraduar, gjë që u pa edhe nga pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje.
Tani presim nga Qeveria që të marrë obligimet dhe detyrat që i takojnë - për të zbatuar vullnetin qytetar dhe për të mundësuar konsolidimin e institucioneve në katër komunat e veriut.
PDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur për të ofruar qeverisje gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ky ka qenë zotimi ynë - ky është edhe misioni ynë.
Bashkë për Kosovën!