KQZ-ja e refuzoi këshillën e OSBE-së për kamera: Pse Lista Serbe shqetësohet nga vendosja e tyre në vendvotime? - NACIONALE

KQZ-ja e refuzoi këshillën e OSBE-së për kamera: Pse Lista Serbe shqetësohet nga vendosja e tyre në vendvotime?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka përfillur këshillën e OSBE-së për të mos vendosur kamera në vendvotim për referendumin e 21 prillit, ku do të votohet për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

Përmes një njoftimi për media, KQZ-ja sot ka dhënë disa sqarime në lidhje me vendosjen e këtyre kamerave. Në këtë mënyrë, ky institucion është munduar të ia heq dilemat subjektit politik Lista Serbie, e cila si arsyeje për bojkotimin e votimit e ka përmendur edhe vendosjen e këtyre kamerave.

KQZ-ja ka bërë me dije se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill.

Institucioni në fjalë ka treguar se ky vendim do të vlej për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore kurdo që ato do të mbahen.

Lidhur me planifikimet për të vendosur kamera në vendvotime, KQZ sqaron se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore. Për këtë temë duhet të mbahen parasysh disa çështje. Së pari, vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

KQZ-ja ka sqaruar se qëllimin e vendosje së kamerave është vendosur për shkaqe sigurie.

Së dyti, vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve, në Qendra të Votimit, përkatësisht në Vendvotime, në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullësi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor”, është thënë në njoftimin e KQZ-së, duke dhënë edhe sqarime tjera.

Më tej, KQZ-ja ka bërë me dije se ky veprim nuk do të cenojë fshehtësinë e votës.

Së treti, edhe sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit”, ka vlerësuar KQZ-ja, duke shtuar se ato do të kontrollohen nga policia.

Së katërti, ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bëhet brenda 60 ditëe pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Dhe, së fundmi, KQZ në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive. Në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, ka treguar KQZ-ja.

Në këtë mënyrë, KQZ-ja nuk ka marrë parasysh këshillën e OSBE-së që këto kamera të mos vendosen.

Përmes një komunikate për media, të martën OSBE-ja i ka rekomanduar KQZ-së që në këtë proces të përmbahet nga qasja novatore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka mbikëqyrur procesin duke respektuar kuadrin ligjor dhe do të këshillohet të shmangë qasjet novatore, si përdorimi i kamerave në qendrat e votimit, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”, është thënë në komunikatën e OSBE-së.

Para disa dite, Lista Serbia ka bërë me dije se do ta bojktojë referendumin e 21 prillit, ndonëse e kishte përkrahur nënshkrimin e peticioni të serbëve lokalë për të mundësuar organizimin e këtij referendumi, i cili do të mundësonte shkarkimi e kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut.

Në një konferencë për media, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, është shprehur i shqetësuar me vendosjen e kamerave në vendvotime.

Ai ka thënë se nuk ka parë asnjëherë votim me kamera në referendum.

"Unë nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të mbahet në shkollat ​​që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, prandaj huazuan një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri, me të drejtë populli shtron pyetjen se çfarë do të bëjnë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, është shprehur Elek.

Lajme të ngjashme