KQZ-ja e hap rrugën për largimin e kryetarëve në veri, votimi do të bëhet më 21 prill - NACIONALE

KQZ-ja e hap rrugën për largimin e kryetarëve në veri, votimi do të bëhet më 21 prill

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve sot e ka miratuar rekomandimin e sekretariatit që votimi për shkarkimin e katër kryetarëve në veri të mbahet më 21 prill të këtij viti.

Rekomandimi është miratuar më 8 vota pro dhe dy abstenime. Në këtë mbledhje kanë abstenuar dy përfaqësuesit e PDK-së.

Më 8 vota për, dy abstenime, miratohet data për mbajtjen e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve më datë 21 prill 2024”, ka thënë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Këtë datë për mbajtjen e votimit e ka propozuar kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Para anëtarëve të KQZ-së, ai ka treguar për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura nga katër grupet nismëtare në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe të dorëzuara në KQZ nga kryesuesit e kuvendeve komunale të këtyre komunave.

Në adresimin e tij, ai ka treguar se peticioni në katër komunat përmbush kushtet ligjore.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Leposaviqit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 3,030 nënshkrime të plotësuara në 304 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 2,905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 13,441 votues, ndërsa 2,689 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai, duke treguar edhe peticioni i në Zubin Potok është në rregull.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Zubin Potokut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,576 nënshkrime të plotësuara në 158 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,380 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 6,732 votues, ndërsa 1,347 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, është shprehur ai.

Sipas tij, as në peticionin e organizuar në Zveçan nuk është bërë ndonjë shkelej.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Zveçanit, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 1,834 nënshkrime të plotësuara në 185 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 1,714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 7,052 votues, ndërsa 1,411 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe me peticionin në Mitrovicë të Veriut ka qenë gjithçka në rregull.

Nga peticioni i organizuar në komunën e Mitrovicës së Veriut, KQZ ka pranuar për verifikim listën me 4,148 nënshkrime të plotësuara në 423 faqe, nga të cilat, pas krahasimit me të dhënat e listës votuese të bazuar në numrin personal, rezulton se 3,653 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në këtë komunë. Numri i përgjithshëm i votuesve në këtë komunë është 18,199 votues, ndërsa 3,640 votues përbëjnë 20% të listës votuese. Këto nënshkrime të mbledhura përbëjnë 20% të votuesve në këtë komunë”, është shprehur Ahmeti.

Lajme të ngjashme