KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit - NACIONALE

KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka finalizuar edhe formalisht procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të datës 28 dhjetor 2025.

Në mbledhjen vendimtare të zhvilluar pasditen e sotme, anëtarët e këtij institucioni votuan për certifikimin e rezultateve përfundimtare, duke i hpaur rrugën edhe ligjërisht konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Sami Kurteshi, përfaqësues i subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje, e shoqëroi votën e tij pro me një deklaratë politike, duke theksuar se miratimi bëhet “me rezerva”.

“Me gjithë rezervat që i kemi… dhe vazhdojmë t’i kemi për Listën Serbe… mirë,” u shpreh Kurteshi gjatë mbledhjes.

Vetëvendosje disa herë kishte theksuar se nuk ia njeh rezultatin Listës Serbe, madje duke ndërmarrë kinse aksione në KQZ.

Ndonëse përfaqësuesit e VV-së inskenuan një betejë procedurale në këtë institucion për të kundërshtuar rezultatin, këto veprime mbetën pa asnjë peshë ligjore dhe nuk sollën asnjë ndryshim konkret.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për mosnjohje të rezultateve zgjedhore të Listës Serbe.

Vlen të theksohet se ky proces zgjedhor u karakterizua nga një rinumërim masiv i votave të rregullta, masë kjo që u mor pas zbulimit të mospërputhjeve serioze në votat preferenciale për kandidatët, ndërkohë që votat për subjektet politike mbetën të paprekura.

Manipulimet ka aktivizuar edhe organet e drejtësisë; dhjetëra persona kanë përfunduar në paraburgim dhe qindra të tjerë janë marrë në pyetje, ndërsa hetimet pritet të zbardhin më tej skemat e abuzimit me votën.

Me 57 mandate të siguruara nga 51.10% e votave, Lëvizja Vetëvendosje doli bindshëm partia e parë, e ndjekur nga PDK (22 ulëse), LDK (15 ulëse) dhe AAK (6 ulëse).

Te mandatet e minoritetit serb, Lista Serbe ka marrë pothuajse të gjitha vendet (9), duke lënë vetëm një mandat për Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë

Lajme të ngjashme