Kosova sot ia dorëzon Serbisë mbetjet e tre serbëve të vrarë gjatë luftës
Mbetjet e tre trupave të qytetarëve serbë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, do t’u dorëzohen sot autoriteteve të Serbisë, më konkretisht në pikën kufitare në Merdarë.
Siç raporton “REL”, ata janë në mesin e 280 trupave të paidentifikuar në morgun e Prishtinës.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, i ka thënë mediumit se mbetjet e trupave janë mbajtur nga paslufta, por ka pasur problem në identifikimin e tyre.
“Kanë qenë në Institut, sepse nuk kanë mundur të identifikohen gjatë kësaj kohe për arsye se familjarët nuk kanë dhënë mostra të gjakut që të mund të identifikohen. Vitin e kaluar janë dhënë mostrat e gjakut të familjarëve edhe janë dërguar mostra shtesë të ADN-së, të cilat na kanë dhënë rezultatet e atyre që janë të identifikuar.” - ka thënë ai.
Mes tjerash, Haliti ka treguar se ka ende shumë mbetje mortore të paidentifikuara.
“I kemi 280 trupa (mbetje kockore) që nuk kanë përputhje me mostrat e gjakut, janë të dy komuniteteve, serbë dhe shqiptarë. Po punohet edhe në rrafshin e zhvarrimeve që janë bërë vitin e kaluar, por edhe rishikimin e mbetjeve mortore që janë.” – është shprehur ai.