Kosova solidarizohet me Izraelin: I dënojmë fuqishëm sulmet terroriste - NACIONALE

Kosova solidarizohet me Izraelin: I dënojmë fuqishëm sulmet terroriste

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga mëngjesi, në Izrael janë duke vazhduar sulmet e militantëve të Hamasit, të cilët kanë thyer kufirin jugor të shtetit izraelit. Deri tani ka shumë të vrarë, ndërsa liderët nga e gjithë bota kanë dënuar sulmet e Hamasit, të cilat janë konsideruar si terroriste. Në këtë linjë, është edhe Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, që drejtohet nga ministrja Donika Gërvalla, ka lëshuar një komunikatë të shkurtër në gjuhën angleze, ku ka dënuar sulmet e militantëve të Hamasit në Izrael. Në komunikatën e shkurtër, MPJD-ja ka shënuar se Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Izraelin në “këto kohë të tmerrshme”.

Tutje, MPJD-ja ka shkruar se mendimet e Kosovës janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin.

“Kosova dënon fuqishëm sulmet terroriste kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Izraelin në këto momente të tmerrshme. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin.” – shkruhet në faqen zyrtare të MPJD-së në X.

Çka po ndodh në Izrael?

Izraeli dhe Hamasi duket se janë nisur drejt një lufte të re mes vete pas një sulmi të befasishëm ajror e tokësor të grupit Hamas nga Rripi i Gazës drejt Izraelit. Raportohet se luftëtarë të Hamasit janë infiltruar brenda qytezave e fshatrave izraelite në periferi.

Në një video-mesazh, Benjamin Netanjahu, kryeministër i Izraelit ka thënë se Izraeli është në luftë.

“Ne jemi në luftë, jo në një operacion, jo në raunde, por në luftë. Këtë mëngjes, Hamasi hapi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Unë mblodha krerët e sigurimit, kam udhëzuar fillimisht që të pastrohen fshatrat nga terroristët që u infiltruan. Kjo po ndodh tani. Përveç kësaj, urdhërova thirrjen e rezervistëve. Ndërkohë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit që t’u binden rreptësisht udhëzimeve të ushtrisë dhe udhëzimeve të komandës së brendshme. Ne jemi në një luftë dhe do ta fitojmë atë.” – pohoi ai.

Në raportimet fillestare dhe në fotografi e video duket se shihen persona të armatosur që kishin hapur zjarr në qytezën kufitare, Sderot, duke vrarë disa civilë e ushtarë izraelitë. Një grua e moshuar u konfirmua e vdekur nga mjekët në rrethana të panjohura, ndërsa katër të tjerë të vrarë nga raketat, raporton gazeta “The Guardian”.

Hamasi pretendoi se kishte hedhur 5 mijë raketa nga Gaza. Hyrja e militantëve në territorin izraelit do të ishte zhvillim i pashembullt në 16 vitet e fundit, që nga koha kur ky grup e kishte marrë nën kontroll Rripin e Gazës.

Ndryshe, gjatë tërë kohës mediet e huaja po raportojnë për zhvillimet ndërmjet Izraelit dhe militantëve të Hamasit, që kontrollojnë Rripin e Gazës.

Pak më parë është rapotuar se numri i konfirmuar i të vrarëve nga sulmi i befasishëm i militantëve të Hamasit në Izrael ka shkuar në gjashtë. Përpos të vrarëve, thuhet se, sipas deklaratave të spitaleve, numri i të plagosurve ka shkuar në gati 200.

Të paktën 24 prej të plagosurve kanë pësuar lëndime serioze ose kritike, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Thuhet se ushtria izraelite është duke luftuar me militantët e Hamasit në disa lokacione në pjesën jugore të vendit, afër kufirit me Rripin e Gazës.

Gazeta izraelite thotë se luftimet janë duke ndodhur në dhe përreth qytezave Kfar Aza, Sderot, Sufa, Nahal Oz, Magen, Be’eeri dhe bazën ushtarake “Re’im”.

Lajme të ngjashme