Kosova optimiste, pret që testin e parë drejt anëtarësim në KiE ta kalojë me sukses - NACIONALE

Kosova optimiste, pret që testin e parë drejt anëtarësim në KiE ta kalojë me sukses

4 javë më parë

nga NACIONALE

Liderët institucionalë janë shprehur optimist për zhvillimet që pritet të ndodhin sot në Paris, ku Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës do ta shqyrtojë e raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakojanis.

Ata presin që ky raport, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të miratohet pa problem.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryediplomatja Donika Gërvalla nuk presin që Kosova të ketë ndonjë pengesë në testin e parë drejt anëtarësimi në KiE.

E para e shtetit ka bërë me dija se miratimi i këtij raporti do t`i hapte rrugë votimit në Asamblenë Parlamentare.

Raporti tashmë është pozitiv, përmbajtja e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtaret tjerë të KiE. Ajo çfarë do të ndodh sot është procedurë, kjo është një mbledhje e jashtëzakonshme e Komitetit e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për Asamblenë Parlamentare të KiE. Ne nuk mundemi të paragjykojmë rezultatin, kjo është në vullnetin e deputetëve individualë të shteteve që marrin pjesë sot në Komitet”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në KiE.

Në qoftë se sot gjithçka kalon me sukses, atëherë në mes të prillit do të jetë mbledhja e gjithë Asamblesë Parlamentare të KiE ku edhe në qoftë se i marrim votat e nevojshme aty rekomandohet anëtarësimi dhe ky rekomandim kalon prapë në Komitetin e Ministrave për muajin maj të këtij viti dhe aty vendoset për anëtarësimin përfundimtar”, është shprehur Osmani, duke shtuar se Kosova po lobon shumë për këtë çështje.

Janë disa hapa që kanë mbetur, por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare por edhe jemi duke biseduar me shtet veç e veç si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve. Presim sot rezultatin shpresë që do të mbështetë kjo kauzë e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Osmani.

As shefja e diplomacisë Donika Gërvalla nuk pret ndonjë pengesë në këtë drejtim.

Ne mendojmë se nëse nesër krijohet kuorumi i nevojshëm për trajtimin e kërkesës për Kosovën, atëherë mendojmë që një kërkesë e tillë, pra raporti do të mund të miratohet. Dhe më lejoni të konstatoj sot se rrallë ndonjëherë në historinë e anëtarësimeve pas vitit 1990 në Këshillin e Evropës ndonjë shtet ka qenë kaq i përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Kemi vepruar së bashku me të gjithë mekanizmat e Këshillit të Evropës, raporti është pozitiv, të gjitha detyrat e shtëpisë janë bërë, prandaj presim që gjatë marsit, gjatë prillit por edhe gjatë majit të kemi lëvizje në këtë drejtim”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Edhe opozita pret miratimin e raportit

Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Demokraci do të jetë edhe një delegacion i Kosovës, i cili përbëhet nga deputetë të pozitës dhe opozitës.

Para fillimi të mbledhjes, e cila pritet të mbahet në ora 14:30, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë një video para se të fillon mbledhje e Komitetit për Politikë dhe Demokraci, ku do të shqyrtohet raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Ai është shprehur optimist për miratimin e raportit, duke thënë se pritet të ketë kuorum për miratimin e raportit në fjalë.

Të nderuar qytetarë të Kosovës, Jemi para ndërtesës së Këshillit të Evropës, ku sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësimin e saj. Pritet që të ketë kuorum, njëkohësisht të votohet raporti dhe të procedohet në takimin e prillit. Ky është vetëm hapi i parë, jemi në një rrugë të mirë por duhet ende punë”, ka thënë Tahiri në videon e postuar në profilin e tij në “Facebook”.

Si historike këtë ditë e ka cilësuar edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila po merr pjesë në këtë mbledhje.

Hapi i parë drejtë anëtarësimit të plotë të Kosovës tonë në Këshill të Evropës!”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Pasi Komiteti për Çështje Politike të miratojë një draft të opinionit, dy komitete të tjera, ai për Çështje të Punëve Ligjore dhe ai për Çështje Barazie, do ta japin më pas pikëpamjen e tyre rreth kësaj.

Puna e tri komiteteve së bashku do të debatohet në seancën e Asamblesë, që çon në miratimin e një opinioni të Asamblesë për te Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.

Vendimi final për aplikimin e Kosovës për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave.

Lajme të ngjashme