Kosova në NATO: Anëtarësimi varet nga negociatat me Serbinë - NACIONALE

Kosova në NATO: Anëtarësimi varet nga negociatat me Serbinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Situata e re gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, po vlerësohet si e favorshme për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Pengesa e vetme mbetet mosnjohja Kosovës nga katër vendet anëtare të Aleancës. Për fat të keq, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk parashohin përshpejtim të procesit të pranimit.

Invadimi i Rusisë në Ukrainë po shihet si mundësi e re për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Spektri politik pretendon se në këto rrethana Kosova duhet të synojë një anëtarësim me procedura të përshpejtuara në Aleancë. Edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare mendojnë se izolimi i Rusisë nga bota perëndimore duhet shfrytëzuar.

Photo 7

Megjithatë, sipas tyre, rrugëtimi i Republikës së Kosovës drejt NATO-s nuk varet vetëm nga faktorët e jashtëm dhe tronditja që i ka shkaktuar sistemit ndërkombëtar agresioni rus në Ukrainë. Ata kanë bërë me dije se Kosova, fillimisht, duhet të synojë njohjet nga vendet anëtare të Aleancës që nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas tyre, kjo mund të arrihet vetëm me një marrëveshje përfundimtare në dialogun me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja.

Politologu Agon Maliqi ka vlerësuar se për këtë arsye Kosova duhet ta shtyjë përpara procesin e dialogut me Serbinë.

“Synimi kryesor i Kosovës duhet të jetë hyrja në NATO, por para se t'ju kapë shumë entuziazmi, kjo nuk bëhet pa njohjen e katër shteteve anëtare dhe është proces që zgjat disa vite dhe i cili e kërkon mes tjerash edhe miratimin e parlamenteve të vendeve anëtare. Këto katër shtete që nuk na njohin kanë dhënë shenjë prej shumë kohësh se janë të gatshme të na njohin pa marrë parasysh se cila është natyra e marrëveshjes me Serbinë - pra edhe nëse marrëveshja nuk e përfshin njohjen e drejtpërdrejtë, por atë tërthortë, siç ishte modeli i dy Gjermanive (ku Serbia nuk do të na njihte por nuk do të na pengonte në organizata ndërkombëtare).”

Ai ka bërë me dije se i takon Kosovës të bëjë propozimin për këtë marrëveshje. “I takon Kosovës t'ua propozojë aleatëve formulën e kësaj marrëveshjeje dhe t'ia drejtojë presionin Serbisë, e jo t'i shmanget dialogut. Sidoqoftë, në mungesë të anëtarësimit në NATO dhe duke qenë kjo situatë kaotike, në këto momente mbetet kyçe që çdo hap dhe veprim të jetë i koordinuar me SHBA, dhe mbi të gjitha të tregohet kujdes ndaj përpjekjeve ruse për destabilizim. Kjo e përfshin edhe kujdesin e shtuar në mesazhet politike ndaj pakicës serbe e cila në asnjë moment nuk guxon të ndihet e kërcënuar”, - ka shkruar Maliqi në prpifilin e tij në "Facebook".

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka përmendur dy kushte të cilat duhet të plotësohen për t’u diskutuar përshpejtimi i Kosovës në NATO.

“Për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO duhet të plotësohen dy kushte: 1. Mençuria e Qeverisë dhe politikës së Kosovës për të prodhuar stabilitet dhe siguri të brendshme për gjithë qytetarët e saj, si dhe duke u bërë faktor i paqes dhe sigurisë rajonale, përfshirë këtu edhe projektet strategjike të diversifikimit të energjisë, dhe 2. Budallakia eventuale e Serbisë dhe Republikës Serbe për të destabilizuar rajonin me vepra, duke rrezikuar fillimin e konflikteve te reja te armatosura”, - ka shkruar Peci në profolin e tij në “Facebook”.

Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk përcaktohet vetëm nga agresioni rus në Ukrainë.

Sipas tij, ky proces varet nga dinamika e dialogut me Serbinë në Bruksel.

“Çështja e anëtarësimit tonë në NATO, këtë duhet ta kuptojë çdokush, përcaktohet prej dinamikave dhe faktorëve të tjerë të brendshëm që kanë të bëjnë me raportet tona në dialogun me Serbinë. Anëtarësimi ynë në NATO është çështje e sigurisë rajonale këtu, jo çështje e sigurisë globale pasi ndikimi rus është shumë i dobët në këtë pjesë të botës dhe nuk mundet të projektojë forcë sepse është krejt e rrethuar me NATO-n” - ka thënë Hasani për “Kosovapress”, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk do të varet shumë nga zhvillimet ndërkombëtare.

“Anëtarësimi ynë në NATO është njëri prej mjeteve të fundit të presionit ndaj Serbisë për njohje të Kosovës dhe stabilizim të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk është diçka që kjo krizë dhe kjo luftë që ne mund të përfitojmë me anëtarësim në NATO dhe as me anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare. Ato janë pjesë e dinamikave të tjera që lidhen me rajonin dhe fqinjësinë tonë të afërt dhe jo Rusinë”, - është shprehur ai.

Ditë më parë, në “Twitter” u bë trend për një kohë ‘hashtagu’ “#KosovoInNato” [shq. Kosova në Nato] siç ishte bërë trend në kohën e bombardimeve mbi Serbinë më 1999 edhe thirrja: “Nato just do it!” [nga anglishtja: Nato, veç bëje]

Kërkohen veprime konkrete në rrugën drejt NATO-s

Pavarësisht pengesave, subjektet opozitare kanë kërkuar nga Qeveria që të ndërmrrë hapa konkretë drejt anëtarësimit të përshpejtuar në NATO.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që ta sjellë në Kuvend Planin e Veprimit për Anëtarësim (PVA).

"Temë kryesore është anëtarësimi dhe mos-anëtarësimi në NATO, kurse Kryeministri Kurti thotë se ne do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE. Çka do të bëjmë ne me statusin e kandidatit në BE? Silleni një plan të veprimit për aplikim në NATO, në partneritet për paqe, në Kartën e Adriatikut. Iluzionet për paqe të përhershme në Evropë janë varrosur dje dhe po vazhdojnë të varrosen sot", - ka thënë Hoxhaj, gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës.

Hapa konkretë në këtë drejtim ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment të ri për një hap të madh historik.

“Bashkimi i tanishëm euroatlantik si reagim ndaj tiranisë ruse mbi Ukrainë, është një dritare historike për Kosovën. Anëtarësimi ynë në NATO sot ka një mundësi të re. Kosova, institucionet tona, diplomacia jonë, duhet të shfrytëzojnë këtë dritare historike që rrallëherë na hapet kaq shumë; e aleatët tanë ndërkombëtarë duhet të përshpejtojnē anëtarësimin tonë si proces të natyrshëm të sigurisë Evropiane. Kosova në NATO është domosdoshmëri; gjithnjë ka qenë, gjithnjë do të jetë”, - ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ditë më parë, anëtarësim të përshpejtuar ka kërkuar edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, sipas tij, është nevojë imediate për stabilitetin në rajon.

“Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të tij në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Botës, kërkojmë nga SHBA dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO”, - ka shkruar Mehaj, në profilin e tij në “Facebook”.

Mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO e ka dhënë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në një konferencë për media në Ankara së bashku me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ai ka thënë se për ta mbështetur procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk ka nevojë të marrë leje nga askush.

"Turqia si vend i rëndësishëm i NATO-s nuk shikon asnjë gjë që nuk shkon për sa i përket anëtarësimit të Kosovës këtu. Për ta mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO, s'kemi nevojë për të marrë leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tonë. Ashtu siç ndërmorrëm në rastin e njohjes, ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, - ka deklaruar Erdogan.

Raportet Kosovë-NATO

Marrëdhënia Kosovë-NATO daton nga 24 marsi i vitit 1999 me fillimin e Operacionit të Forcave Aleate të NATO-s, një fushatë ajrore 78-ditore kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) për të ndalur katastrofën humanitare që po ndodhte në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar Rezolutën 1244, e cila autorizon një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë.

Nga ajo kohë, prania ushtarake e NATO-s, KFOR-i, ka për mandat ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.

Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, integrimi në NATO ka qenë një nga prioritetet kryesore të qeverive të Kosovës. Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka ndonjë formë të marrëdhënies kontraktuale me Aleancën.

Në vitin 2012, Kosova kishte tentuar të vendoste marrëdhëniet e para zyrtare me NATO-n, duke aplikuar për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por për shkak të mosnjohjes nga katër vendet anëtare, kishte dështuar.

Po ashtu, në vitin 2016, Kosova ka pasur një kërkesë zyrtare për të forcuar lidhjet me NATO-n, duke aplikuar për 'bashkëveprim të zgjeruar', por sërish ishte Spanja ajo që doli kundër kësaj kërkese.

Anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo shtet tjetër evropian që është në gjendje të respektojë parimet e këtij Traktati dhe që kontribuon në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.

Kandidatët e mundshëm duhet të përcjellin vlera demokratike si dhe të ofrojnë mbështetje për sigurinë mbarë euro-atlantike në mënyrë që të merren në konsideratë.

Shtetet e ftuara marrin një plan-veprim për anëtarësimin, i cili përcakton hap pas hapi rrugëtimin drejt anëtarësimit.

Më pas, 30 anëtarët duhet të bien dakord në mënyrë unanime për pranuar kërkesën për anëtarësim të një shteti në organizatë. Vendi i fundit që është anëtarësuar në këtë Aleancë është Maqedoni e Veriut, në vitin 2020.

Lajme të ngjashme