Kosova e kujton si mik të madh ish-kryeministrin japonez
Vrasja e sotme e ish-kryeministrit të Japonisë , Shinzo Abe, ka tronditur edhe përfaqësuesit politikë të Kosovës.
Liderët institucionalë dhe partiakë ish-kryeministrin japonez e kanë vlerësuar si mik të madh të Kosovës.
Ata kanë ngushëlluar popullin japonez, duke shprehur keqardhje e tyre për këtë vrasje të rendë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në llogarinë e tij në Twiter, ka shkruar Abe ka qenë një mik i mrekullueshëm i Kosovës.
“Jemi të pikëlluar dhe të tronditur nga vrasja e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Kryeministri Abe ishte një lider i shquar i Japonisë dhe mik i mrekullueshëm i Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe populli ynë po luten për familjen e kryeministrit Abe, miqtë e tij dhe popullin e Japonisë”, ka shkruar ai.
Keqardhje ka shprehur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Prehu në paqe miku i madh i Kosovës!”, ka shkruar Hoti
I tronditur me këtë vrasje është shprehur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Abe ishte një mik i madh i Kosovës.
“I tronditur nga lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të ish kryeministrit të Japonisë dhe mikut të madh të Kosovës Shinzo Abe. Ngushëllimet më të thella për Japoninë dhe popullin e saj, në këtë ditë të rëndë për ta. Vrasja e ish kryeministrit japonez është lajm i keq për të gjithë botën demokratike!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërsa, ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se miqësia e fortë mes Japonisë dhe Kosovës është një nga trashëgimitë e shumta që ke lënë pas ai.
“U prehsh në paqe kryeministër Abe! Miqësia e fortë mes #Japonisë dhe #Kosovës është një nga trashëgimitë e shumta që ke lënë pas. Do te kujtojmë gjithmonë me respekt dhe mirënjohje!”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në “Facebook”,
Kush ishte Shinzo Abe?
Shinzo Abe ishte kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e vendin të tij. Ishte ii njohur për politikë të jashtme të ashpër dhe për strategjinë ekonomike që do të njihej si “Abenomics”.
Nacionalist konservator sipas shumicës së përshkrimeve, politikani 67-vjeçar e udhëhoqi dy herë drejt fitores Partinë Demokratike Liberale.
Mandati i tij i parë në krye të qeverisë ishte i shkurtër, zgjati pak më shumë se një vit, dhe u shoqërua me kundërthënie.
Megjithatë, ai bëri rikthim të befasishëm politik më 2012 dhe qëndroi në pushtet deri më 2020, kur dha dorëheqje për arsye shëndetësore.
Japonia ishte në recesion, kur Abe e filloi mandatin e tij të dytë, ndërsa politikave të tij ekonomike, të ndërtuara në bazë të lehtësimit monetar, stimulimit fiskal dhe reformave strukturore, u janë dhënë meritat për rikthimin e rritjes së një ekonomie që po dobësohej.
Ai ishte në pushtet edhe gjatë rimëkëmbjes së vendit nga tërmeti i fuqishëm i vitit 2011, kur kishin vdekur gati 20.000 njerëz dhe kur ishte shkaktuar katastrofa bërthamore e reaktorëve në Fukushima.
Abe dha dorëheqje më 2020, duke treguar se vuan nga një sëmundje e zorrëve, që e kishte detyruar të jepte dorëheqje edhe në vitin 2007.
Politikani i njohur u zëvendësua nga aleati i ngushtë, Yoshihide Suga, por ende shihej si figurë e fuqishme në politikën e Japonisë.
Dorëheqja e tij më 28 gusht të vitit 2020 shkaktoi përplasje në mesin e grupeve brenda partisë për shkak se Abe nuk caktoi pasardhës.
Më 8 korrik, Abe ishte duke mbajtur një fjalim zgjedhor në qytetin Nara për të përkrahur një kandidat që është në garë për Dhomën e Lartë të Kuvendit.
Një burrë 41-vjeçar e qëlloi dy herë me një armë të improvizuar ish-kryeministrin Abe. Besohet se sulmuesi ishte pjesëtar i Forcës Vetëmbrojtëse të Japonisë.
Abe ishte me vetëdije, kur u dërgua në spital, por vdiq më vonë nga plagët.