Kosova drejt zgjedhjeve të reja, opozita i kërkon datën e Albulena Haxhiut - NACIONALE

Kosova drejt zgjedhjeve të reja, opozita i kërkon datën e Albulena Haxhiut

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Dështimi i Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri ka hapur rruga për zgjedhjet e reja. Pas shpërbërjes së Kuvendit, opozita është shprehur optimiste për zgjedhjet e reja, të cilat pritet të mbahen gjatë muajit qershor.

Në reagimet e tyre PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja i kanë kërkuar ushtrueses së detyrës të presidentes, Albulena Haxhiu, që sa më shpejt të caktojë datën për mbajtjen e zgjedhjeve.

Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës.

Përmes një komunikate për media, kjo parti ka bërë me dije se pushteti aktual mban përgjegjësinë kryesore për krizën e krijuar, si shkaktar i krizave të njëpasnjëshme politike.

Në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. PDK kërkon nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik. Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të gatshëm për këtë proces të rëndësishëm demokratik dhe përmes votës së tyre të refuzojnë logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale”, është thënë në komunikatën e PDK-së, duke shtuar së Kosova ka nevojë për një drejtim të ri.

Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, për stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim. Ka nevojë për institucione që funksionojnë dhe për një qeverisje që respekton Kushtetutën, jo që përpiqet ta mbizotërojë atë. Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve”, ka vlerësuar PDK-ja.

Pas dështimit të zgjedhjes se presidentit ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixiku.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Republika e Kosovës nuk u nënshtruar.

Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën. Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin. Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre “karate”. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës”, ka shkruar ai, duke treguar dallimin mes LDK-së dhe VV-së.

Ky është dallimi i madh mes nesh. Dhe këtë dallim do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, ka shkruar ai.

Në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se nëse Kuvendi dështon ta zgjedh presidentin vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.

TË KONSTATOJË që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është thënë në aktgjykim.

Në bazë të këtij aktgjykimi nënkupton që e diela e fundit brenda këtij afati është 7 qershori.

Lajme të ngjashme