Ushtarët britanikë “të gatshëm ta mbrojnë Kosovën në rast nevoje”, mesazhi i fuqishëm që la Cameron sot në Prishtinë
“Kosovën e ndihmuam të shpëtojë në kohë nevoje...trupat tonë të gatshme ta mbrojnë sërish në rast nevoje”.
Ishte ky krye-mesazhi që kryediplomati britanik solli në Prishtinë dhe me të cilin mesazh u largua nga Kosova.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, fjalët i kishte aq të përzgjedhura, aq të qarta dhe toni i tij mbartte në vete seriozitetin e një zyrtari të lartë të një prej shteteve më të fuqishme në botë.
Fjalët që i kisha lajtmotiv ishin se Kosovën e kemi “ndihmuar të shpëtojë" në kohë nevoje dhe se ajo tash përbën një shtet “të pavarur dhe sovran”; atribute këto të cilave Britania e Madhe do t’u qëndrojë në ruajtje dhe promovim anekënd botës.
WATCH: @David_Cameron met UK troops deployed with @NATO_KFOR in Kosovo today. pic.twitter.com/XS7DRiMO9A
— Foreign, Commonwealth & Development Office (@FCDOGovUK) January 4, 2024
Titujt në media të huaja jehuan atë që Cameron tha në Prishtinë; se Mbretëria e Bashkuara “zotohet në mbështetjen e njohjes më të gjerë” ndërkombëtare të Kosovës.
Kjo – siç ngjan rëndom – ishte helm në vesh të Beogradit, për çka edhe Ivica Daçiq, ministër i jashtëm serb, vrapoi të reagonte ashpër në mediat serbe.
Por, Cameron përveç se në konferencë shtyp me zyrtarët shtetërorë kosovarë njoftoi për mbështetjen e paeukivokë britanike, do të lajmërohet sërish nga mbrëmja me trupat britanike – përmes të cilëve dha edhe mesazhin më të prerë.
Top-diplomati britanik dha arsyen më të thuktë të vizitës së tij si në vijim.
“Më gjerësisht, këtu jam sepse Kosova është një vend i pavarur e sovran, një vend që Britania ka ndihmuar ta shpëtojë në kohë nevoje”.
Agjendën e shtetit të Kosovës – që është ndërkombëtarizimi i plotë i shtetit – Cameron, tha se “duam ta ndihmojmë”; jo vetëm sepse kjo është në interes të Kosovës, por “sepse është edhe në interesin e Britanisë”.
Këtu, ai ndaloi dhe rikujtoi që “ka vende dhe forca tjera” që duan të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe “këtë e pamë me Banjskën”, shtoi ai.
Në dritën e kësaj, tha ai, “është e nevojshme të ndihmojmë Qeverinë e Kosovës...në ofrimin e sigurisë”.
Teksa ushtarët britanikë qëndronin prapa tij, ai këtu nxori kryemeszhin.
Se ushtarët britanikë “janë të gatshëm ta mbrojnë vendin në rast nevoje”.
Për Banjskën, Cameron u shpreh se “ishte jashtëzakonisht shqetësuese” dhe se tash, po qe se ajo do të përsëritej “duhet ta luftojmë”. Kështu dëgjohet të thotë Cameron në një video që ka publikuar televizioni T7.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që ta parandalojmë dhe ta luftojmë nëse ndodh sërish. Kosova është shtet i pavarur, sovran që do stabilitet, siguri dhe prosperitet. Britania po ndihmon në të gjitha këto dhe ajo që ne po bëjmë është e drejtë”, ka thënë Cameron.
Ambasada britanike shpërndau takimet e Cameron me krerët shtetërorë kosovarë dhe ia përçoi fjalët se “Mbretëria e Bashkuar është krenare për partneritetin e saj të vazhdueshëm me Kosovën si një mbështetëse e gjatë e pavarësisë së saj”.