Koreja Veriore teston një dron të ri nënujor që mund të bartë armë bërthamore
Koreja Veriore ka testuar një dron të ri sulmues nënujor që mund të bartë armë bërthamore, raportuan mediet shtetërore të premten. Udhëheqësi i shtetit, Kim Jong Un paralajmëroi se ushtrimet e përbashkëta ushtarake mes ShBA-së dhe Koresë Jugore duhet të ndalen.
Gjatë testimit, droni i ri korean lëvizi nën ujë në thellësi prej 80 deri në 150 metrash për më shumë se 59 orë dhe shpërtheu një ngarkesë jobërthamore në ujërat afër bregdetit lindor të enjten, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.
Analistët thonë se Koreja Veriore është duke ua shfaqur rreziqet gjithnjë më të llojllojshme bërthamore Uashingtonit dhe Seulit, edhe pse ata janë skeptikë që mjeti nënujor është i gatshëm për dislokim, raporton agjencia “Reuters”.
Të hënën, shteti i izoluar hodhi një raketë me rreze të shkurtër veprimi nga një bazë nën dhe, ndryshe nga metodat e zakonshme.
I quajtur “Haeil”, droni i ri planifikohet të përdoret për sulme tinëzare në ujërat e armikut dhe për shkatërrimin e grupeve detare të sulmeve e porteve të rëndësishme operative përmes krijimit të një vale të madhe radioaktive me anë të shpërthimit nënujor, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve.
“Ky dron sulmues nënujor bërthamor mund të dislokohet në secilin bregdet dhe port ose mund të tërhiqet nga një anije për operim”- raportoi agjencia KCNA, duke shtuar se udhëheqësi i shtetit e ka mbikëqyrur testimin e armës së re.
Një zyrtar ushtarak i Koresë së Jugut tha se ushtria e vendit të tij është duke i analizuar pretendimet e Koresë Veriore. Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se nuk ka pasur shenja për ndonjë testim bërthamor.

