Kontratat sekrete: LDK-ja insiston në themelimin e një komisioni, Konjufca kundërshton VV-në
Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdon të insistojë në temën e kontratave njëburimore, përkundër që ditë më parë dështoi themelimi i një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ata kanë gjetur një zë përkrahës në VV, partinë që e sabotoi themelimin e komisionit.
Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, doli dje kundër partisë së tij, VV-së, ku është nënkryetar i parë. Ai tha se nuk duhet të bëhet asnjë pengesë për themelimin e komisioneve hetimore parlamentare.
“Unë jam që të mos bëhet asnjë pengesë në themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, cilat do qofshin ato. Është instrumenti i vetëm që ka opozita në duar. Betejat gjithmonë duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të themelohen ato, mos të vendosen kështu kushtëzime, pamundësim teknik i themelimit të komisioneve hetimore. Unë shpreh vullnetin tim, që komisionet nuk duhet të pengohen në Kuvend sepse nëse kjo bëhet precedent, në mënyrë afatgjate dëmtohet Kuvendi dhe parlamentarizmi në shtetin tonë”, tha Konjufca dje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Insistimi i LDK-së
Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, ka ritheksuar nevojën e një seanceje të jashtëzakonshme ku do të kërkohej formimi i komisioneve hetimore, pasi “mekanizmat e tjerë të mbikëqyrjes parlamentare nuk po funksionojnë.
“Të jemi të qartë; opozita po detyrohet të thërras seanca të jashtëzakonshme dhe të kërkojë formimin e komisioneve hetimore pasi mekanizmat e tjerë të mbikëqyrjes parlamentare nuk po funksionojnë.” – shkroi mbrëmë Hoti.
Tutje, ai ka numëruar arsyet se pse po bllokohen mekanizmat e Kuvendit.
“- Kryeministri dhe ministrat një kohë kanë refuzuar të përgjigjeshin në pyetjet e deputetëve. Ata nuk marrin pjesë rregullisht në seanca të Kuvendit.
- Debatet dhe interpelanca pamundësohen nga mazhoanca me mospjesëmarrje në debat.
- Komisionet e rregullta parlamentare gati janë bërë jofunksionale, pasi ministrat zakonisht nuk paraqiten. Kur marrin pjesë, ata sillen jashtë çdo norme parlamentare ndaj opozitës për të pamundësuar debatin argumentues.
- Rezolutat e propozuara nga opozita për çështje të ndryshme janë refuzuar në vazhdimësi nga mazhoranca pa asnjë arsye, vetëm se vinin nga opozita.” – ka theksuar Hoti.
Në të njëjtën linjë është edhe Hykmete Bajrami, një tjetër deputete e LDK-së, që ka qenë e zëshme në çështjen e kontratave sekrete. Ajo dje theksoi se janë 112 kontrata sekrete në vlerë prej 102 milionë eurove në Ministrinë e Ekonomisë, që udhëhiqet nga ministrja Rizvanolli.
“E derisa dje ne kishim tri orë debat parlamentar, ministrja Rizvanolli që është përgjegjëse për ndërmarrjet publike nuk e nxori asnjë fjalë nga goja edhe pse disa herë u pyet nga deputetët për 112 kontrata sekrete të KEK-ut dhe 102 milionë të shpenzuara, LVV sot paska vendosë që përmes Avni Zogianit të me pyes mua e ish Kryeministrin Hoti, jo për ministritë me të cilat ne kemi udhëhequr, por për ministrinë që ka udhëhequr Blerand Stavileci. Edhe njëherë dje ministrja Rizvanolli përgjegjëse për KEK-un ansnjë fjalë se ka thënë për 112 kontratat e KEK-ut në vlerë prej 102 milionë eurove dhe siç po e shifni kontratat sekrete po vazhdojnë.” – tha Bajrami.
Deputetja e LDK-së kishte edhe një thirrje për deputetët e VV-së në Kuvend.
“Ju bëj thirrje ta votoni komisionin hetimor parlamentar, për kontratat 2021-2023. LVV le të bëj kërkesë për komision hetimor për vitet 2015-2017, nëse dojnë edhe për me herët kthehemi prej kohës kur shefja e grupit parlamentar të LVV e pat shitë distribucionin e KEK-ut për 26.3 milionë euro dhe unë ju premtoj se Grupi Parlamentar i LDK-së do t’i votoj të gjitha komisionet.” – përfundon shkrimi i Bajramit.