Konjufca: Themelimi i Asociacionit proces i ndërlikuar, drafti i ri është shkruar më ndryshe
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se procesi i formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është proces shumë i ndërlikuar.
Ai ka treguar se drafti i BE-së që është prezantuar dje në Bruksel është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por ka shtuar se zbatimi i tij nuk do të jetë i lehtë.
Sipas tij, drafti i ri për Asociacionin është ndryshe nga ata që janë prezantuar deri me tani.
“Është vetëm në tavolinën e diskutimeve duket që kësaj radhe e kanë shkruar ndryshe që me qenë gjithçka në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por prapë se prapë edhe që mund të mos duken që janë në shpërputhje me Kushtetutën mund të argumentohen në atë mënyrë nga ana jonë sepse është shumë shumë proces i ndërlikuar të krijosh një institucion që ti e quan publik në Kosovë e do të merret me çështje që në kuptimin etnik mund të interpretohen si serbe është problem kjo nuk e lejon Kushtetuta e jonë”, ka thënë Konjufca për “Edicionin Special” në Klan Kosovës.
Ai ka vlerësuar se bisedimet për këtë çështje do të zgjasin, duke thënë se këto bisedime Kosova duhet t`i bëj me bashkësinë ndërkombëtare.
“Mendoj se do të zgjasin këto, pjesa kryesore e tyre nuk do të jetë pjesë e negociatave me Serbinë. Mendoj se do të ketë diskutime me bashkësinë ndërkombëtare, me Serbinë nuk kemi çfarë e bisedojmë një çështje të brendshme, Kosova nuk ka si të shkëputet prej një obligimi ndërkombëtar që e kanë bërë”, ka thënë Konjufca.