Konjufca për “seancën e grushteve”: Bislimi ka mundur të jetë më i qetë, opozita provokoi - NACIONALE

Konjufca për “seancën e grushteve”: Bislimi ka mundur të jetë më i qetë, opozita provokoi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 13 korrik, në Kuvendin e Kosovës shpërthyen grushtet mes pushtetit dhe opozitës, pas përplasjeve verbale që erdhën si pasojë e publikimeve të përgjimeve nga Nacionale, ku konfirmohej komunikimi i Mimoza Kusari-Lilës, shefe e grupit parlamentar të VV-së, me Milan Radojiçiqin, i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja. Për “seancën e grushteve” ka folur sërish Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit. Çka tha Konjufca?

I ftuar në emisionin e gazetarit Fidan Jupolli, Konjufca foli pak edhe për “seancën e grushteve”. Në pikëpamjen e Konjufcës, seanca e 13 korrikut ishte një ditë “vërtetë e pakëndshme”. Ndonëse e akuzoi opozitën për provokime, në fjalën e tij, Konjufca dha një sinjal të “bashkëfajësisë” së të gjithë pjesëmarrëvse.

Kjo pasi përveç fajësimit të opozitës, nënkryetari i VV-së vlerësoi se edhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Qeverisë Kurti, ka mundur të jetë më i qetë dhe të mos bie në provokimet e opozitës. Pra kë një mëkat fillestar (provokimi i opozitës) dhe ka një mospërmbajtje të Bislimit karshi situatës së krijuar në seancën e 13 korrikut.

“Ishte një ditë vërtetë e pakëndshme, me u shpreh më se lehti. Sepse unë mendoj se ka qenë bile shumë e shëmtuar dhe nuk ia dëshirojë më Republikës tonë dhe Kuvendi kurrë një ditë të tillë. Ishte plotësisht e paarsyeshme ajo mësymje e një grupi të deputetëve nga ana e Qeverisë. Mendoj, po ashtu, edhe zëvendëskryeministri ka mujtë me qenë me i qetë dhe mos me ra fare në provokime.” – tha ai fillimisht.

Pas këtyre fjalive, z. Konjufca e shtoi edhe një tjetër fjali simptomatike. Grushtet e Bislimit ndaj deputetëve të opozitës, të cilët po ashtu “shkepën grushte”, i cilësoi si “një far lloj reagimi instiktiv”.

“Këtë e nisi ai grupi që ia mësyu qeverisë. Ajo nuk ka fare nevojë. Po ashtu, Qeveria dhe ministrat nuk ka nevojë. Por, edhe ata e kishin një arsyetim. Arsyetimi ishte që ku mundesh me besu në atë mësymje se do të ketë vetëm ujë. Aty u shpërnda edhe grushta. Kështu që, edhe nga ana e ministrave dhe qeverisë ka mujtë me qenë një far lloj reagimi instiktiv për një lloj vetëmbrojtje.” – vlerësoi tutje ai.

Ndryshe më 13 korrik, në Kuvendin e Kosovës shpërtheu dhuna fizike, një pamje e cila u dënua ashpërsisht e gjerësisht në opinionin publik. Në këtë përplasje fizike, u përfshin deputetët e PDK-së, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, njerëzit e pushtetit, veçanërisht Besnik Bislimi.

E gjithë situata filloi kur Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së, hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Albin Kurti dhe Bislimit, i cili iu përgjigj duke e goditur me një shishe. E këtu pastaj ndërhynë edhe deputetë të tjerë, ndërsa në Kuvend hyri edhe mbrojtja e afërt e Kurtit, të cilët në një moment nxorën edhe mbrojtësen anti-plum.

Në lidhje me këtë përplasje fizike, Prokuroria e Kosovës tashmë ka nisur hetimet.

Lajme të ngjashme