Konfirmohet aktakuza ndaj këngëtarit Sinan Vllasaliut: Dyshohet se iu shmang tatimit mbi 24 mijë euro - NACIONALE

Konfirmohet aktakuza ndaj këngëtarit Sinan Vllasaliut: Dyshohet se iu shmang tatimit mbi 24 mijë euro

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktakuza ndaj këngëtarit Sinan Vllasaliu, është konfirmuar.

Ai po akuzohet se e ka dëmtuar buxhetin e shtetit mbi 24 mijë euro duke iu shmangur tatimit, raporton Betimi për Drejtësi.

Në kërkesën e parashtruar nga avokati i Vllasaliut, Florent Latifaj është kërkuar hudhja e aktakuzës me arsyetimin se i mbrojturi i tij ka sqaruar se nuk pajtohet me tatimin e paraqitur nga ATK-ja dhe Prokurorit të Shtetit për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015. Pasi që për këto vite fiskale, ai ka paraqitur pagesat e tatimeve të cilat i ka kryer në shtetin e Amerikës, periudhë kjo gjatë të cilës ai ka realizuar të ardhura në vende të ndryshme, ndërsa në periudha të caktuara ka paguar edhe në Kosovë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ka dyshim të bazuar se Vllasaliu ka kryer veprën penale siç përshkruhet në dispozitiv të aktakuzës.

“Nga provat e propozuara në aktakuzës për veprën penale me të cilën akuzohet i pandehuri Sinan Vllasaliu paraqet dyshimin e bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet tutje në vendim.

Gjithashtu në këtë vendim thuhet se, përshkrimi faktik në dispozitivin e aktakuzës jep informata për vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe rrethanave të tjera, ndërkohë që ekziston edhe emërtimi ligjor i veprës sipas dispozitave të KPRK-së.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 18 nëntor 2022, i akuzuari Vllasaliu është deklaruar i pafasjhëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Lajme të ngjashme