Ambasada e Kosovës në Austri: Gjendja e të lënduarve në aksident, është stabile
I PËRDITËSUAR (12:20):
Pas aksidentit që ndodhi në Austri ku u përfshi një autobus nga Kosova, Ambasada e Kosovës në Austri ka bërë të ditur se gjendja e të lënduarve është stabile.
Edhe pse u raportua se të paktën 3 të lënduar janë në gjendje të rëndë, nga Ambasada kanë thënë se të gjithë të lënduarit janë në gjendje stabile.
Madje, edhe ambasadori i Kosovës ka dalur për t’iu ndihmuar qytetarëve.
“Ju njoftojmë se gendja e të lënduarve është stabile. Ambasadori i Kosovës në Austri, z. Pllana tashmë është afër dhe po mundohemi që të asistojmë qytetarët tanë”, kanë thënë nga ambasada për gazetën Nacionale.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një autobus nga Kosova është aksidentuar në Salzburg të Austrisë, ku mbetën të lënduar 19 persona, tre prej të cilëve pësuan lëndime më serioze.
Shefi i Kabinetit të Donika Gërvallës informon Nacionalen për aksidentin: Nuk është asnjë i vdekur
Sharr Jakupi, Shefi i Kabinetit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se në aksident e autobusit kosovar në Austri, tetë pasagjerë kanë kërkuar ndihmë dhe prej tyre vetëm një nga ta po vazhdon të mbetet në trajtim mjekësor.
“Ne aksident ka pasur disa të lenduar, asnjë të vdekur. Sipas spitalit të Salzburgut, 8 kanë kërkuar ndihmë, dhe aktualisht vetëm një mbete ende, të tjerët kanë udhëtuar tutje.”, ka thënë Jakupi për Nacionale.
Më tej, Jakupi ka thënë se ambasadori i Kosovës në Austri, Lulzim Pllana ka dalë në vendin e ngjarjes ku është akisdentuar autobusi.
“Ambasadori z.Lulzim Pllana, ka shkuar ne vendin e ngjarjes ku edhe eshte aksidentuar autobusi, dhe eshte duke ofruar mbeshtetjen e ambasades tone ne Austri per te gjithe te lenduarit dhe familjet e tyre.”, ka thënë ai.
Kompania e autobusit që u aksidentua në Austri, thotë se pasagjerët kanë lëndime të lehta
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një autobus nga Kosova është aksidentuar në Salzburg të Austrisë, ku mbetën të lënduar 19 persona, tre prej të cilëve pësuan lëndime më serioze.
E nga kompania “Armendi Tours”, kanë thënë se pasagjerët kanë lëndime të lehta dhe se gjatë udhëtimit kanë qenë tre shoferë.
“Autobusi është nisur nga Kosova më datë 18.05.2022 në orët e mëngjesit. Në udhëtim kanë qenë tre shoferë. Aksidenti ka ndodhur në Austri/Salzburg. Pasagjerët janë me lëndime të lehta dhe asnjë në rrezik për jetë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë policia austriake ka treguar për dyshimet e para rreth këtij aksidenti të autobusit nga Kosova.
Sipas policisë austriake, dyshimet janë se shoferin mund ta ketë zënë gjumi ose autobusi ka pasur ndonjë defekt teknik gjë që ka shkaktuar aksidentin.
Autobusi nga Kosova aksidentohet në Austri, 19 të lënduar, tre seriozisht.
Një autobus nga Kosova, që ishte nisur drejt Hanoverit të Gjermanisë, është përplasur në mbrojtëset anësore të rrugës afër qytezës Eugendorf të Austrisë, e cila ndodhet afër Salzburgut, pranë kufirit me Gjermaninë, raporton e përditshmja austriake, “Der Standard”.
Raportohet se aksidenti ndodhi të enjten në mbrëmje. Punëtoret e Kryqit të Kuq dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
“Tash për tash dimë për tre të lënduar seriozisht dhe 16 të lënduar lehtë. Tash për tash nuk kemi raporte për raste fatale”, tha zëdhënësja e Kryqit të Kuq, Roberta Thanner.
Aksidenti ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit mes kryqëzimeve Salzburg-Nord dhe Walersee. Ajo pjesë momentalisht është zonë ndërtimi. Zëdhënësi i policisë, Hans Wolfgruber, tha se me gjasë, autobusi është përplasur në mbrojtësen anësore të betonit për arsye që janë ende të paqarta.

“Në autobus ndodheshin rreth 25 persona”, tha komandanti i ekipeve të shpëtimit, Hermann Gerstgraser. Të lënduarit u dërguan në spitalin publik në Salzburg. “Tetë personave, të cilët nuk janë lënduar, po u ofrohet kujdes nga ekipi për ndërhyrje në kriza në selinë tonë qendrore në qytet”, shtoi ai.

Sipas zëdhënësit të policisë, autobusi ishte duke udhëtuar nga Kosova për në Hanover të Gjermanisë. “Këta janë turistë që qartazi vijnë nga Kosova”, tha ai.
Një grup i madh i ndihmësve u dërguan në vendin e aksidentit. Brigadat e zjarrfikësve nga Hallwang-u dhe Eugendorf-i shkuan me rreth 60 vullnetarë në tetë automjete, ndërsa Kryqi i Kuq shkoi me rreth 50 ndihmës në 14 automjete.
Gerstgraber tha se ekipet mjekësore nga Flachgau të Salzburgut, nga rajoni i Austrisë së Epërme dhe një automjet nga qyteza gjermane e Bavarisë, Freilassing, e tre mjekë për raste urgjente janë në detyrë.
Autobusi i dëmtuar ishte ende në vendin e aksidentit rreth orës 6 të mëngjesit, prandaj kalimi nëpër autostradën perëndimore ishte i pamundshëm. Sidoqoftë, autobusi pritet të tërhiqet në orët e mëngjesit.