Komiteti i OKB-së shpreh shqetësim për marrëveshjen e Danimarkës me Kosovën për transferimin e të burgosurve
Në një raport të Kombeve të Bashkuara (OKB), Komiteti Kundër Torturës, është shprehur shqetësim në lidhje me marrëveshjen e bërë nga Danimarka me Kosovën për çështjen e të burgosurve nga shtete të treta.
Aty kërkohet që personat të cilat “privohet nga liria e tyre” të mos diskriminohen në baza të nacionalitetit apo statusit familjar të tyre.
Komiteti i OKB-së thotë që meqë kushtet në burgjet e Danimarkës janë të kualitetit të lartë, është e shqetësuar për përpjekjen që shtetasit e huaj të shkojnë nëpër burgje (të Kosovës) që një cilësie inferiore.
“Komiteti është i shqetësuar për planet e shpallura nga shteti (danez) për të burgosur jashtë territorit nënshtetasit e vendeve të treta që kanë kryer krime para deportimit të tyre. Specifikisht, Komiteti vëren se qëllimi i shprehur nga shteti për të marrë me qira burgje në Kosovë, dhe është i shqetësuar mbi pasojat që kjo mund t’i ketë në qasjen e të burgosurve në vizitat familjare dhe kujdesin shëndetësor.”
Shqetësim është shprehur edhe mbi faktin se burgjet do të jenë subjekt i jurisdiksionit danez, derisa ka pikëpyetje edhe në lidhje me autoritetin disiplinor dhe jurisdiksionin kriminal për akte të keqtrajtimit apo torturës që mund të bëhen nga ana e stafit të burgut.
“Komiteti më tej shqetësohet mbi natyrën potencialisht diskriminuese të këtij regjimi, që dyshohet se parashikon të bëjë dallim në trajtimin e të mbajturve në paraburgim në baza të nacionalitetit dhe statusit familjar.”
Kujtojmë se marrëveshjen me Danimarkën e kishte bërë Ministria e Drejtësisë për lirimin e një institucioni korrektues për treqind persona të dënuar.
Nga kjo marrëveshje thuhej se Kosova do të përfitonte rreth 210 milionë euro, e të cilat do të dedikoheshin më pas për investime kapitale.
Për këtë marrëveshje, shqetësime kanë ngritur edhe njohës të ndryshëm të fushës dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.