Koloneli Ejup Maqedonci pritet të jetë ministri i ri i Mbrojtjes
Ministri i ri i Mbrojtjes pritet të jetë koloneli i njohur i FSK-së, Ejup Maqedonci.
Burime e gazetës Nacionale kanë bërë me dije se Maqedonci tashmë ka pranuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për këtë pozitë të rëndësishme.
“Koloneli i njohur u FSK-së Ejup Maqedonci do të jetë ministri i ri i FSK-së. Dje ai është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe janë pajtuar për këtë pozitë”, ka thënë burimi i gazetës Nacionale.
Gazeta ka tentuar ta kontaktoj Maqedoncin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Edhe Radio Televizioni Publik (RTK) sot ka raportuar se Maqedonci pritet të jetë pasardhës i ministrit Mehaj.
Para disa ditësh, Maqedonci kishte dalë në pension të parakohshëm.
Lajmi ishte bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjesnëpërmjet një komunikate për media, raporton Nacionale.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes, sot u mbajt ceremonia e përcjelljes për në pension të parakohshëm të kolonelit të FSK-së, Ejup Maqedonci. Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ndau mirënjohje kolonelit Maqedonci për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e MM-së dhe FSK-së”, thuhej në postim.
Kolonel Ejup Maqedonci ishte pjesëtar i luftës çlirimtare të vendit, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Llapit. Më pas në uniformën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), si komandant për një dekadë i Batalionit të Kërkim- Shpëtimit dhe për të vazhduar kontributin si pjesëtar i FSK-së në detyrën Shef i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimit në Shtabin e Përgjithshëm.
Dorëheqja e Mehajt?
Gazeta Nacionale mbrëmë ka raportuar se ministri aktual i FSK-së, Armedn Mehaj ka dhënë dorëheqje.
Burimet e gazetës Nacionale sot kanë raportuar në lidhje me një paralajmërim për dorëheqje të Armend Mehajt nga pozita e ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes. Në fakt, Nacionale ka mësuar se ky paralajmërim ekziston tashmë prej disa ditësh.
Tutje, burimet e Nacionales kanë raportuar se Mehaj po e kërkon lirimin nga detyra për arsye familjare. Megjithatë, ka edhe të tjera pretendime për arsye të paralajmërimit të dorëheqjes. Por deri më tani nuk dihen arsyet prapa këtij paralajmërimi për dorëheqje.
Megjithatë, deri më tani gazeta Nacionale nuk ka arritur të konfirmojë këto informacione. Nacionale ka kontaktuar me ministrin Mehaj, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në numrin e telefonuar.
Po ashtu, Nacionale ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Gazeta Nacionale do të tentojë të konfirmojë këto raportime të burimeve në rrugë zyrtare.
Ndryshe Mehaj e udhëheq që dy vite Ministrinë e Mbrojtjes. Shefi i Ministrisë së Mbrojtjes, pra z. Mehaj ka lindur në vitin 1981 në Kosovë, ndërsa ka jetuar për vite në Oslo të Norvegjisë.
Në vitin 1999 i ishte bashkuar forcave të armatosura norvegjeze, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.